×
  • Lajme
  • Hulumtime

    “Kur dhanë urdhër me na lëshu, thash ta mbys vetën”, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës rrëfen për herë të parë historinë e saj të trishtë

    Autor:Mirlind Behluli
    08 Shkurt 2022 | 17:00

    “Kur kanë dhanë urdhër me na lëshu, thash ta mbys vetën”. Ky ishte mendimi i parë që i erdhi në kokë V.B., gruas nga Prishtina që u bë e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në ndërtesën e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik. Ajo së bashku me disa gra të tjera u ndanë nga kolona e shqiptarëve civil që po dëboheshin nga kryeqyteti në fund të marsit të 1999, e më pas u keqtrajtuan seksualisht për disa orë nga 12 burra serbë të uniformuar.

    Ajo në kushte të anonimitetit ka pranuar të rrëfejë për Gazetën Online “Reporteri.net” ditën më të rëndë të jetës së saj. Rrëfimin e ka lënë të shkruar me dorë të vetë, si dëshmi e përjetshme për krimin ndaj saj, sikurse edhe ndaj mijëra gra e burrave tjerë, që u bënë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Si simbol i një drejtësie të munguar.

    ‘Spastrimi’ i Prishtinës dhe pengmarrja

    Në pranverën e vitit 1999, me urdhër të autoriteteve serbe qyteti i Prishtinës ishte boshatisur nga banorët e saj shqiptar. Në fund të marsit, pak ditë pasi kishte filluar bombardimi i NATO-së ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe, banorët e kryeqytetit u grumbulluan nga paramilitarët serbë dhe nën kërcënimin e armëve u detyruan të lëshojnë shtëpitë dhe banesat e tyre. Krahas këtij ‘spastrimi’, një krim tjetër po aq i rëndë, megjithatë pak i diskutuar, kishte ndodhur: dhunimet seksuale ndaj grave prishtinase.

    Të ndara nga burrat e familjet e tyre, me urdhër të njësive ushtarako-policore serbe këto gra u mblodhën dhe u dërguan në vende të ndryshme. Siç raportohej menjëherë pas luftës, e po ashtu siç u raportua në pjesën e parë të këtij hulumtimi të Gazetës Online Reporteri.net, njëra nga këto vende që u shfrytëzua për dhunimin e grave të Prishtinës ishte edhe objekti i Universitetit të Prishtinës, përkatësisht ndërtesa e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik.

    Njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale të ushtruar në Fakultetin Juridik gjatë luftës në Kosovë, pas shumë insistimesh, ka pranuar të rrëfejë për Gazetën Online Reporteri.net ditën më të vështirë të jetës së saj.

    “Thash ta mbys vetën”

    V.B, që edhe sot jeton në Prishtinë, nuk ka pranuar t’i incizohet zëri e as pamja e saj, teksa tregon për historinë e saj të trishtë.

    Megjithatë, ajo u dakordua që një pjesë të rrëfimit ta shkruaj vetë për publikim, i cili rrëfim është shumë më i gjatë se dy faqe e gjysmë sa ajo i ka shënuar me dorën e saj.

    V.B. pranoi të ndajë kujtimet e saja, i cili është i pari rrëfim i një të mbijetuareje të dhunës seksuale që u ushtrua gjatë luftës në Kosovë ndaj grave në ndërtesën e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, me shpresën që shteti të hetojë dhe të përkujtojë këtë tragjedi duke ndërtuar një muze në objektin ku ngjau tragjedia e saj dhe disa grave tjera nga Prishtina.

    “Në pranverë të vitit 1999, ishte ditë e vranët marsi kur forcat paramilitare hynë nëpër shpija e banesa dhe na qitën në kolonë. Atëherë jetojsha në Ulpianë me burrë, vjehrri, kunetë dhe kunatën dhe e kisha vajzën 3 vjeçe”, nis rrëfimi i V.B., i shkruar në letër për Gazetën Online Reporteri.net.

    [Gazeta Online Reporteri.net për të shmangur çfarëdo mundësie të zbulimit të identitetit të të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës, përmes dorëshkrimit apo edhe emrave që përmenden në letër, i ka mbuluar me ‘blur’ pamjet e letër-rrëfimit të shkuar me dorë nga V.B.]

    Me shumë vështirësi, ajo tregon se si me urdhër të forcave serbe, ajo dhe shumë gra të tjera u ndanë nga kolona e civilëve tjerë.

    “Dolën të gjithë banorët jashtë dhe na banë rresht për tre të gjithë banorët jashtë. Burri e kishte vajzën në qaf dhe unë dhe vjehrri duke ecur rrugës, u ndal kolona dhe i ndajshin disa femra ku më morën edhe mua”, vazhdon rrëfimin e saj të shkruar, V.B., e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Burri i saj rezistoi rrëmbimin e V.B., por ishte e kot. Gjatë përpjekjes për të ndalur forcat serbe, ai u plagos në këmbën e majtë.

    Pas rrëmbimit, forcat serbe i dërguan në objektin e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, i cili vazhdon edhe sot të përdorët si objekt studimi nga profesorët e studentët e Universitetit të Prishtinës.

    Aty ajo së bashku me disa gra të tjera u keqtrajtuan seksualisht e u rrah fizikisht nga paramilitarët serbë.

    “Na shtinë në Fakultet. Ka qenë klasa e parë ku më kanë dhunu. Janë kanë të maskuar. Korrili i shkollës [Fakultetit] bajke foto me aparat. Na kanë dhunu e rreh se u mundojshim me rezistu, por ishte e kot. 4 orë ose pesë orë, 12 vetë më kanë dhunu veç mua.”, vazhdon rrëfimin e saj V.B..

    Tutje, ajo tregon se çfarë pa tjetër gjatë mbajtjes së saj në atë ndërtesë.

    “Gjak sa dush edhe tesha. 7 femna kanë qënë aty para meje e bashkë me mu na kanë shti katër. Një femër e kanë majte ni kohë aty. Pastaj e kan qu në podrum e kanë majtë e kanë dhunu sa herë kanë dashtë. Ka qenë kojshike e jemja dhe se ka ditë as kur u ardh liria deri janë shkue kojshija e kanë gjet të lidhne”, shton V.B.

    E kur urdhri i lirimit të grave erdhi, mendimi i parë i V.B. ishte të mbyste veten për shkak të tragjedisë që i kishte ndodhur.

    “Kur kanë dhanë urdhur me na lëshu, thash ta mbys vetën, por aq thi që ishin serbët, më thanë ke me vdek me kujtimin tonë. Disa veta i kanë ndalë, disave na lëshuan. Na kanë bërë bashkë me kolonë tek hekurudha dhe me thikë ma kanë bërë kryqin në dorë të djathtë”, rrëfen V.B. për Gazetën Online Reporteri.net.

    Ndërtesa e fakultetit Ekonomik dhe Juridik të UP-së [Pamje e sotme]
    Pas lirimit, ajo u takua me familjen e saj. Edhe pse kanë kaluar gati 23 vite, V.B. e ka të freskët bisedën e parë me vjehrrin e saj.

    “Pas dy orëve jam bërë bashkë mas pari me vjehrrin. I thash “o babë, sen nuk m’kanë bo, m’kanë rrah edhe qet kryq ma kanë bo”. Vjehrri më tha “baba e di që shk***e [serbë] të mirë nuk ka, po mos e fol me kërkan, pos burrit tënd”. Kur jena ulë në tren, jam ulë afër burrit dhe i kam tregu. Tha “gru nuk të veta sen”. Ma nuk kam fol deri në Bllacë. Veç kam kajtë.”. Deri sa po e shkruante këtë pjesë të rrëfimit të saj, në një letër të bardhë, V.B. nuk arrinë të përmbahet nga lotët që i rrjedhnin në fytyrë.

    Bllaca e jeta pas luftës

    Pas ribashkimit me familjen, ajo sikur mijëra prishtinas të tjerë u largua për në Shkup, në kërkim të shpëtimit nga forcat serbe.

    Ajo tregon bisedën që kishte ndërmjet burrit të saj dhe vjehrrit rreth ndodhisë tragjikë që i kishte ngjarë në Fakultetin Juridik.

    “Kur kena mbërri në Bllacë, vjehrri e ka taku një mjek edhe me thikë duke ja nxeh, vjehrri ja ka hjek plumbin burrit. Nesrit vjehrri na ka marrë mua e burrin, na ka largue prej familjes dhe i ka thanë “djali jem, ke me u kujdes për këtë gru ma shumë se për nanën tane. Burri i tha “po babë, veç ama besën që veç na tre kemi me ditë”, shpalos kujtimet e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës.

    As jeta e pas luftës nuk ishte e lehtë për V.B.

    Për shkak të traumave nga ngjarja e hidhur e pranverës së 1999, ajo tregon se përjetonte ankthe të vazhdueshme për të cilën gjë ishte trajtuar tek personat përgjegjës për 6 vite.

    “Kur u kthym në Kosovë, unë kisha shumë ankthe dhe stres. Më dilke gjumi duke kajtë. Ngajke kunata me kqyrë çka kam. Vjehrri i thojke që babën e ka të sëmur dhe vendosi me na nda. Në vitin 2004, vjehrri m’ka çu në Shkup, ma ka hjek kryqin në dorë dhe ma blejti një zinxhir. Jam trajtu në psikiatri 6 vjet. Mirë e kalojmë me burrë, kur s’ma ka përmend. U mundu me më trajtu shumë mirë”, thotë V.B..

    E mbijetuara V.B. ka përmendur me emër dhe mbiemër një grua tjetër, fqinjën e saj [emrin dhe inicialet e të cilës nuk do t’i publikojmë] si të viktimë tjetër e dhunës seksuale gjatë luftës për katër ditë radhazi në Fakultetin Juridik e më pas edhe në bodrumin e banesës së viktimës.

    Gazeta Online Reporteri.net është munduar të vë kontakt me personin në fjaë, por nuk ka arritur, pasi që e njëjta nga pas lufta jeton jashtë Kosovës.

    Gruaja nga Prishtina, V.B. gjatë bisedës me Gazetën Online Reporteri.net, tregoi se ajo tashmë e gëzon statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, të cilën ia njohu vite më parë Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

    Dje, Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar rreth raporteve ndërkombëtare mbi dhunën seksuale të ushtruar ndaj grave shqiptare në ndërtesën e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik të UP-së dhe rreth mungesës së informacionit nga shteti dhe institucionet tjera në Kosovë në lidhje me këtë ngjarje tragjike të vitit 1999. /Reporteri.net/.

    [VAZHDON]…

    Gratë shqiptare u dhunuan nga serbët në ndërtesën e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik të UP-së, shteti s’ka informacion

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!