×
  • Lajme
  • Hulumtime / DOKUMENTE

    Milionave për lobim në SHBA, Serbia ia shton edhe 720 mijë Dollarë tjera për angazhimin e top-kompanisë amerikane

    Autor:Mentor Gjergjaj
    22 Gusht 2023 | 19:19

    Derisa Qeveria e Kosovës i ka degraduar kontratat për lobim në SHBA “në peshqeshe” për dosta e militantë të tyre, Serbia po tregohet dorëlirë në marrëveshjet me top-kompanitë amerikane për ngritjen dhe promovimin e çështjes së saj përtej Atlantikut. Së paku 720 mijë Dollarë, së fundmi, shteti serb i ka bërë “deal” me një nga kompanitë më të njohura amerikane për PR (komunikim me publikun) e lobim.

    Së paku 720 mijë Dollarë si vlerë fillestare të kontratës vjetore ka nënshkruar ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, në emër të shtetit të Serbisë, në korrik të këtij viti, me kompaninë e njohur amerikane për PR, “KARV Communications”, me qendër në New York, e seli të përhapura edhe në vende të ndryshme të botës.

    Kontrata, e cila do t’i faturohet Qeverisë në Beograd nga 60 mijë Euro çdo muaj, për shërbimet dhe strategjinë e komunikimit që e ofron kompania amerikane, ka hyrë në fuqi nga 15 korriku 2023 dhe është dakorduar të zgjasë të paktën 1 vit, deri më 14 korrik 2024.

    Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar një kopje të pikave të kontratës, për të cilat u dakordua ambasadori serb në SHBA me kompaninë “KARV Communications” me 11 korrik 2023.

    Në dokument tregohet se KARV do të punojë me Qeverinë e Serbisë për të asistuar në promovimin e Serbisë në SHBA dhe drejt arritjes së informimit të audiencave të reja që të kuptohet pozita e shtetit serb në arenën ndërkombëtare.

    Aty shpjegohet në pika të shkurta edhe strategjia me të cilën synohen rezultatet. Kjo përmes mediave standarde në SHBA (radio/TV/gazeta etj.) dhe atyre sociale. Si dhe me anë të bashkëbisedime të drejtpërdrejta dhe fjalime me grupe të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “KARV do të punojë me RS për të asistuar në promovimin e Serbisë, dhe drejt arritjes së audiencave të reja me informacione që do t’iu ndihmojnë që ta kuptojnë pozitën e Serbisë në arenën ndërkombëtare. Kjo do të bëhet përmes mediave standarde dhe sociale, përkitazi me bashkëbisedime të drejtpërdrejta dhe fjalime me grupe në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në pikën e parë të marrëveshjes së Gjuriqit me kompaninë amerikane, e cila përkufizon fushëveprimin e kontratës së arritur mes tyre.

    Në dy pikat pasuese të kontratës, shpjegohen periudha e angazhimit të kontratës që në vit kap vlerën fillestare 720 mijë Dollarë, dhe forma e faturimit të saj për shërbimet.

    Tutje, tregohet se përveç vlerës totale të kontratës, shteti serb i merr përsipër, përmes rimbursimit, edhe shpenzimet e drejtpërdrejta dhe shpenzimet tjera për implementimin e strategjisë për komunikim në SHBA, e ofruar nga kompania amerikane për shtetin serb.

    “Angazhimet dhe pagesat për palët e treta që ofrojnë produkte dhe shërbime, përtej shpenzimeve të zakonshme e të arsyeshme biznesore, nuk do të bëhen pa miratimin paraprak me shkrim nga RS dhe do të faturohen me 5 përqind tarifë shtesë”, parasheh kontrata.

    “KARV Communications”, është një kompani për komunikim strategjik, e pranuar dhe e shtrirë në vende të ndryshme të botës, e specializuar për komunikimet e sofistikuara të korporatave dhe ato financiare, për menaxhimin e krizave dhe menaxhimin e reputacionit personal, si dhe për mbështetje në çështjet gjyqësore dhe çështjet publike.

    Kompania, në faqen e vetë zyrtare, e përshkruan veten si ofruese e këshillave ligjore për klientët, këshillave lidhur me menaxhimin, lobim, këshilla financiare, teknologji, menaxhim rreziku dhe këshilltarë të tjerë të brendshëm ose të jashtëm.

    Në mars të vitit 2022, “Politico”, në një artikull rreth lobistëve, avokatëve dhe profesionistëve të marrëdhënieve me publikun që inkurajojnë ndihmën për Ukrainën, e renditi kompaninë në fjalë në mesin e dy firmave që përfaqësojnë Shoqatën e Industrisë së Naftës dhe Gazit të Ukrainës dhe të cilat u përshkruan si “de facto, emisarë të çështjes ukrainase” dhe “nxitës” të ndihmës për Ukrainën.

    Themeluesi dhe Presidenti i “KARV Communications”, Andrew Frank, në CV’në e tij ka edhe përvojën në Shtëpinë e Bardhë, si përfaqësues për komunikim dhe koordinim të mediave.

    Serbia po jep milionat për lobim në Amerikë

    Kontrata me “KARV Communications”, është e treta që shteti serb e ka aktive për lobim në SHBA.

    Në korrik të këtij viti, pak ditë pas marrëveshjes “KARV Communications”, Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, arriti marrëveshje edhe me kompaninë lobuese amerikane “BGR Group”. Vlera e kontratës e cila startoi punën me 20 korrik 2023, kap së paku 600 mijë dollarë në vit, pa u përfshirë këtu edhe shpenzimet shtesë, të cilat obligohet t’i marrë përsipër shteti serb.

    Në kontratën e cila u publikua nga mediat serbe, tregohet se kontrata gjatë ekzekutimit do të përfshijë menaxhimin strategjik dhe konsulencën dhe marrëdhëniet me publikun të shtetit serb në ShBA. Kjo mund të përfshijë kontakte përkatëse me zyrtarë të qeverisë amerikane, organizata joqeveritare dhe media në SHBA, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Gjuriqi me kompaninë amerikane.

    Në fund të vitit 2019, Serbia angazhoi edhe kompaninë amerikane “Yorktown Solutions” për “shërbime këshilluese strategjike” në lidhje me marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-së dhe Serbisë. Vlera e marrëveshjes së shtetit serb me kompaninë “Yorktown Solutions”, llogaritet kap vlerën 2.34 milionë Dollarë në total. Nënshkrues i kontratës me kompaninë amerikane është Oda Ekonomike e Serbisë dhe skadon më 8 nëntor të këtij viti.

    Të njëjtin vit, 2019, shteti serb arriti marrëveshje për lobim në SHBA edhe me kompaninë “Cleary Gottlieb Steen & Hamilton LLP”, vlera e të cilës nuk është e bërë publike. Kontrata ishte afatshkurtër.

    Kosova për dy vite rresht 0 Dollarë për lobim në SHBA, në vitin e tretë 329 mijë Dollarë për kompani “fantome”

    Kosova në tre vitet e fundit ka degraduar në raport me kontratat për lobim në SHBA.

    Qeveria e Kosovës, në vitin 2020, gjatë 50 ditëshit të famshëm të Qeverisë Kurti 1, i kishte ndërprerë të gjitha kontratat lobuese me kompanitë amerikane. Arsyetimet e ndërprerjes së tyre, përmes kanaleve jozyrtare, thuhet të jenë nga më “banalet” dhe të ndikuara nga “një paranojë” për shkak të vulave të konfidencialitetit që kanë përmbajtur marrëveshjet në fjalë, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Nga ai vendim, tek në maj të viti 2023 Ambasada e Republikës së Kosovës në SHBA lidhi një marrëveshje të lobuese me kompaninë “Civica”, në pronësi të një shqiptaro-amerikani. Kohëzgjatja e marrëveshjes, sipas të dhënave publike, ishte afatshkurtër dhe vlera e saj parashihte vetëm 35 mijë Dollarë për shërbimet.

    Pak muaj më vonë, më 3 korrik 2023, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, “shpërbleu” me nga 147 mijë Euro kontrata vjetore për lobim (294 mijë Dollarë në total) dy kompani tjera “fantome” të krijuara nga dy shqiptaro-amerikan tjerë, mbështetës të Kryeministrit Albin Kurti. Ato janë “Ambal” dhe “Aferdita Rakipi Communications”.

    Pronarët e tyre, që rezultuan të jenë dy “militantë” të pushtetit në Kosovë, janë Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj. Madje, e para rezultoi të jetë edhe e në raport të afërt miqësor me shefen e diplomacisë kosovare, Donika Gervalla-Schwarz, ministria e së cilës i ndau kontratat.

    Paradoksi i krejt kësaj, rezultuan qëndrimet e shprehura në publik, përmes rrjeteve sociale, të dy lobistëve të kontraktuar nga Kosova për lobim në SHBA, të cilat shpërfaqnin kundërshti dhe kritika të ashpra ndaj politikave dhe strategjive të Perëndimit për Kosovën.

    Vlera totale e ndarë nga Kosova për lobim në SHBA, nga viti 2020 deri në vitin 2023, rezulton 329 mijë Dollarë, përfshirë këtu dy kontratat me kompanitë “fantome” të mbështetësve të Kryeministrit kosovar, Albin Kurti.

    Sipas kontratave, pronarët e kompanive të kontraktura, Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj janë angazhuar me honorar për “avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”. /M.Gj./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!