×
  • Lajme
  • Hulumtime / SHBA

    Në temperatura mbi 45°C, jetesa e vështirë e të pastrehëve në tenda rrugëve të Arizonës

    Autor:Rexhep Kameraj & Agon Rexhepi
    03 Gusht 2023 | 12:45

    Në temperatura mbi 45°C, e pa kushtet bazë për jetesë, për çdo ditë, deri një mijë njerëz të pastrehë popullojnë kampin e ashtuquajtur “The Zone”, hapësirë e uzurpuar në Phoenix të Arizonës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Të gjendur pa një shtrat brenda strehimores, qindra të pastrehë kanë zënë vend përreth saj, ku tendat i kanë kthyer në shtëpi, që veç shtëpi nuk janë.

    Kështu na tha Jessica Boehm nga “Axios Phoenix”, gjatë një bashkëbisedimi rreth asaj se si ka ardhur deri te krijimi i këtij kampi, i cili zgjerohet nëpër disa blloqe përgjatë rrugëve Washington dhe Jefferson.

    “Është kampi më i madh i të pastrehëve në vend; ndonjëherë mund të ketë mbi një mijë njerëz atje. [Ky kamp] e ka zënë të gjithë hapësirën jashtë strehimores, sepse nuk ka vend të mjaftueshëm brenda saj, kështu që njerëzit thjesht po ndërtojnë kamp përreth”, u shpreh gazetarja, që raporton ekskluzivisht për zhvillimet që prekin të pastrehët.

    Pamje nga kampi “The Zone”. Phoenix, Arizona.

    Me t’u rritur masivisht numri i njerëzve që flenë në tenda, banorëve të tjerë të zakonshëm u janë bllokuar rrugët, çka i ka shtyrë të shpërthejnë me ankesa.

    Çështjen e kanë çuar deri në gjykatë duke thënë se ky kamp përbën “shqetësim publik”, dhe është i paligjshëm.

    E, çekani i gjykatësit në Maricopa County të Phoenix rrahu në favor të tyre, dhe si pasojë komuna është obliguar që ta pastrojë këtë kamp, gjë që ka shkaktuar panik. Që nga maji e deri tash, janë kryer disa spastrime, ku punëtorë terreni ua kanë hequr tendat e i kanë udhëzuar drejt vendeve tjera të strehimit, në përpjekje për t’iu përmbajtur urdhërit të Gjykatës.

    Ndonëse është kërkuar që të gjithë të pastrehët të largohen që aty deri në fund të verës, Phoenix ka kërkuar zgjatje të afatit edhe për disa muaj shtesë.

    “Problemi është që nuk kemi ku t’i zhvendosim gjithë këta njerëz”, tha Boehm.

    Arizona është shteti i tetë me radhë në Amerikë, me përqindjen më të lartë të të pastrehëve, çka ka nxitur nevojën për zgjidhje. Jo vetëm brenda në “The Zone”, por thuajse në çdo cep të qytetit, është e pamundur të mos shohësh nevojtarë që flenë rrugëve, në mot jashtëzakonisht të nxehtë.

    Madje, vetëm pak ditë më parë, Phoenix theu një rekord të nxehtësisë nga viti 1974, me 48 gradë, dhe temperaturat në qytet rriten vazhdimisht duke e bërë atë një nga më të nxehtit në SHBA.

    Të pastrehët përbëjnë një grup jashtëzakonisht të cenueshëm, duke u përballur me një mori sfidash. Disa luftojnë me çështje të shëndetit mendor, të tjerë luftojnë varësinë, dhe tragjikisht, disa madje dehumanizohen e anashkalohen nga shoqëria.

    Juliette Rihl, po ashtu gazetare, numëron disa arsye pse njerëzit përfundojnë si të pastrehë, por që primare në Arizonë janë çmimet e larta të banimit.

    “Në kampin “The Zone” kam takuar njerëz në moshë që marrin pension çdo muaj por nuk u dalin për ta paguar qiranë këtu [në Phoenix]; kam takuar nëna që thjesht s’mund t’i përballojnë çmimet e larta të qirasë; kam takuar veteranë, njerëz që përdorin substancë [narkotikë]…”, tha Rihl, nga The Arizona Republic, teksa shtoi se thelbi i problemit prapëseprapë qëndron diku tjetër.

    “Në fund të fundit, është dështim sistematik, jo individual”.

    Mirëpo, pavarësisht nevojës urgjente, zgjidhja e qëndrueshme karshi këtij dështimi nuk po shihet asgjëkundi.

    “Askush s’po dëshiron të marrë përgjegjësi [për të pastrehët]. Krejt po thonë ‘në fakt kjo qeveri duhet të merret me ta, ose ajo qeveri” dhe kjo po i lë njerëzit pa e ditur realisht se ku të shkojnë”, deklaroi Boehm.

    Pamje nga kampi “The Zone”. Phoenix, Arizona.

    Në bashkëbisedim me Boehm dhe Rihl, kuptuam se nevoja për krijimin e strehimoreve të reja ka ngritur një tjetër shqetësim. Kjo pasi banorët hezitojnë që ta përkrahin ndërtimin e hapësirave të tilla afër shtëpive të tyre.

    “Ekziston fenomeni “jo në oborrin tim” ose nimbizmi. Krejt duan që këto hapësira të ekzistojnë thjesht “jo në oborrin e tyre”, por ato duhet të ndërtohen diku”, shtoi Rihl.

    Këtë mungesë përkrahjeje, Boehm e lidh me stigmën ndaj personave të pastrehë.

    “Ekziston absolutisht një stigmë ndaj të pastrehëve. Njerëzit kanë frikë prej tyre, mendojnë se mund të jenë të dhunshëm, ose se janë të këqij në një farë mënyre. Dhe kjo krijon një lloj armiqësie mes njerëzve me shtëpi dhe njerëzve pa shtëpi”, theksoi ajo, e që nuk la pa bërë thirrje që kjo qasje të ndryshojë.

    “Po të kishim shtëpi dhe strehimore për këta njerëz”, thotë Boehm, “do të ishte më së miri për të gjithë”.

    *Ky artikull dhe video-storja janë produkt nga programi Study of the U.S. Institutes (SUSI), për Gazetari dhe Media, i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe me përkrahje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Autorët e hulumtimit, Rexhep Kameraj, gazetar i gazetës online Reporteri.net, dhe Agon Rexhepi, gazetar i Radio Dukagjini, ishin dy përfaqësuesit nga Kosova të këtij programi për këtë vit.

    Agon Rexhepi dhe Rexhep Kameraj, në Arizona State University.

    Gazetari i Reporteri.net, Rexhep Kameraj, njëri nga dy të përzgjedhurit e Ambasadës Amerikane për programin SUSI në “Arizona State University”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!