×
  • Lajme
  • Fokus

    Prokurori i Shtetit ndalon tetë persona lidhur me procesin e votimit

    Reporteri
    09 Shkurt 2025 | 21:24

    Prokurori i Shtetit ka njoftuar se ka ndaluar tetë persona për veprat penale kundër të drejtave të votimit.

    Në një komunikatë për media nga Sistemi Prokurorial u tha që nga prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale.

    “Siç ju kemi informuar edhe më parë për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që u mbajtën sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës. Rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial kanë punuar dhe ende janë duke punuar me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”.

    Gjatë ditës së sotme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste, kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar.

    Prej tyre:

    · Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

    Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    · Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

    Në rastin e parë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, nga neni 209 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale.

    Me këtë rast Prokurori i Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!