×
Intervista / EKSKLUZIVE

Memli Krasniqi nuk pret shumë nga takimi Kurti-Vuçiq: Të dy, Dialogun po e përdorin për populizëm e politikë të brendshme

Autor:Fortuna Shkodra Haliti
13 Shtator 2023 | 22:02

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nuk pret shumë nga takimi i nesërm në Bruksel, i paralajmëruar me ndërmjetësimin e BE’së, mes Kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Në fakt, sipas tij, të enjten, “Kryeministri Kurti, rrjedhimisht edhe Kosova, shkon me një pozicion më të dobët në këtë fazë të dialogut, pikërisht për shkak të sanksioneve të cilat rëndojnë mbi vendin tonë”.  

Për liderin e opozitës në Kosovë, të dy, Kurti e Vuçiq, nuk kanë vullnet për ta avancuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Thotë se të njëjtit këto takime po i përdorin për populizëm e politika të brendshme.

“Fatkeqësisht, kjo nuk e ndihmon perspektivën e Kosovës në momentin kur ne kemi sanksione nga BE”.

Krasniqi në një intervistë dhënë sonte për gazetën online Reporteri.net, thotë se Kurti me veprimet e tij karshi çështjes me Serbinë dhe raporteve me aleatët, në veçanti SHBA’në, e ka dëmtuar skajshëm imazhin e Kosovës duke shndërruar vendin në një shtet të papërgjegjshëm, joserioz dhe destruktiv.

Thotë se marrëveshjet e fundit të arritura me Serbinë, Kurti i ka dhënë obligime Kosovës përtej Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që sipas tij “rrezikon që t’iu japë autonomi politike komunitetit serb, që do të ishte më keq”.

“Gjithsesi, përtej mashtrimeve të tij, brenga jonë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron shteti ynë, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë”.

Reporteri.net: Z. Krasniqi, do të doja ta nisnim bisedën me zhvillimet e fundit politike. Do të takohen nesër në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Çfarë mund të presë Kosova nga ky takim?

Memli Krasniqi: Shkurt dhe qartë, nuk pres shumë nga ky takim. Është dëshmuar deri më tash që zakonisht takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq janë takime ku nuk ka vullnet për të avancuar procesin e dialogut, por më shumë përdoren për populizëm dhe për politikë të brendshme. Fatkeqësisht, kjo nuk e ndihmon perspektivën e Kosovës në momentin kur ne kemi sanksione nga BE. Në fakt, nesër, Kryeministri Kurti, rrjedhimisht edhe Kosova, shkon me një pozicion më të dobët në këtë fazë të dialogut, pikërisht për shkak të sanksioneve të cilat rëndojnë mbi vendin tonë. Siç e kemi parë muajve të fundit, paralajmërimet e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës kanë qenë të vazhdueshme e me raste edhe shumë konkrete, sikur ai i presidentit Macron për rishikimin e politikave të vizave – nëse Kosova nuk sillet me përgjegjësi në këtë proces. Prandaj, nesër është shumë e rëndësishme për Kosovën që Kryeministri Kurti të tregoj maturi, pjekuri dhe përgjegjësi të lartë politike.

Së fundmi, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se nuk ka marrë kurrfarë zotimi nga kryeministri Kurti, për zbatimin e marrëveshjes bazike mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të saj. Si e komentoni?

Memli Krasniqi: Kjo qasje është në vazhdën e sjelljes së kryeministrit në raport me partnerët kryesorë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në. Asnjë nga interesat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës nuk mund të arrihen pa mbështetjen dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, gjë që tashmë është dëshmuar në dy vitet e fundit të përkeqësimit të raporteve tona. Ne mund të flasim shumë gjatë se çfarë ka arritur Kosova në 24 vitet e fundit me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, që nga çlirimi, pavarësia, ushtria, administrata, zhvillimi ekonomik etj. Ashtu siç mund të flasim, po ashtu shumë gjatë, se çfarë Kosova ka humbur në dy vitet e fundit si pasojë e raporteve të tensionuara me ta përmes veprimeve të papërgjegjshme politike. Po i përmend vetëm dy gjëra, të cilat, sipas meje, janë me interes të veçantë: E para: humbja e qindra -miliona eurove në formë të granteve nga BE-ja dhe SHBA-ja për shtetin tonë, ku kanë përfituar të gjitha shtetet e rajonit përveç nesh. Dhe, e dyta, dëmtimi i skajshëm i imazhit të Kosovës, si një shtet i papërgjegjshëm, joserioz dhe destruktiv. Askush nuk dëshiron të bashkëpunojë dhe t’i dalë krah një shteti, i cili në krye të tij ka udhëheqës institucionalë të papërgjegjshëm.

A duhet të lëshojë Kosova pe për Asociacionin, sepse e dimë që për Serbinë prioritet është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Memli Krasniqi: Kryeministri Kurti me shumë pompozitet e ka mbështetur dhe e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, të cilën ne si PDK e kemi konsideruar të pamjaftueshme dhe si një hap prapa në raport me pritjet të cilat kanë qenë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse finale. Duke e kuptuar që ka gabuar, ai tash po vonon implementimin e marrëveshjeve, për të cilat është dakorduar vet. Gjithsesi, përtej mashtrimeve të tij, brenga jonë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron shteti ynë, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare. Prandaj, nuk është çështje e lëshimit pe. Është çështje, a do të zbatohet zotimi, të cilin Albin Kurti e ka marrë. Për më shumë, Neni 7 i kësaj marrëveshjeje shkon përtej Asociacionit, sepse rrezikon që t’iu japë autonomi politike komunitetit serb, që do të ishte më keq se sa Asociacioni, i cili është pjesë e marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015. Kur kësaj i shton edhe mungesën e garancisë për integrimin euro-atlantik të Kosovës, atëherë shndërrohet thjeshtë në një dështim të madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë.

Si e shihni deri tash punën e Qeverisë së Kosovës?

Memli Krasniqi: Qeveria Kurti ka një shkëputje totale prej kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Është qeveri e paaftë, jokompetente dhe abuzive. Vetëm në dy – tre muajt e fundit ka pasur skandale të pabesueshme, duke përfshirë zbulimin e Aferës Zdravo, pra koordinimin me Radojçiqin, vjedhjen e rezervave shtetërore, aferën tashmë të konfirmuar me tregtinë me energji, afera me substanca narkotike, izolimin ndërkombëtar e deri te skandali i fundit me librat. Për herë të parë në 15 vite të të qenit shtet, Qeveria vazhdon të thelloj krizën e shtetit dhe qytetarëve në tri dimensioneve themelore: politik, ekonomik dhe social. Fatkeqësisht, qytetarët sot jetojnë më keq sesa kanë jetuar tri vite më parë. Paguajnë më shumë për tatime, për çmime të produkteve bazike jetike dhe marrin në rikthim shumëfish më pak investime në shërbimet shtetërore, qofshin ato administrative, infrastrukturore, arsimore, shëndetësore etj. Ndërkaq, Kosova si shtet, nuk ka qenë asnjëherë më e izoluar dhe penalizuar për shkak të keqqeverisjes së këtij Kryeministri dhe kësaj Qeverie.

Keni qenë kritik në vazhdimësi – Çka s’po shkon si duhet apo çfarë duhet të bëjë Qeveria e që s’është duke e bërë?

Memli Krasniqi: Puna më e mirë që mund të bëj kjo qeveri, është ose të dorëhiqet ose të pajtohet me kërkesën tonë për shpërndarjen e Kuvendit. Korrupsioni masiv që ka kapluar institucionet dhe zyrtarët e lartë të kësaj Qeverie, shpërfaq paaftësinë e thellë dhe abuzimin e qëllimshëm me detyrat dhe përgjegjësitë zyrtare. Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme. Kosova, para se gjithash, sot ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik.

Të flasim pak për, të themi bashkimin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë, sepse dimë që disa herë janë ngritur zëra kundër Qeverisë Kurti. Sa jeni të gatshëm për një hap të tillë?

Memli Krasniqi: Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë pasur një koordinim të veprimeve, që kanë ndihmuar shpërfaqjen e skandaleve, mungesën e aftësisë qeverisëse, mbrojtjen e kushtetushmërisë së vendit tonë, iniciimin dhe kalimin e projektligjeve që kanë lehtësuar jetën e qytetarëve tanë etj. Kjo është e kuptueshme, rrjedhimisht e natyrshme. Partia Demokratike e Kosovës si udhëheqëse e opozitës është e përgjegjshme në raport me kërkesat e qytetarëve. Ne besojmë që qëllimet dhe interesat shtetërore duhet të jenë ato të cilat mund ta bashkojnë skenën politike, dhe jo vetëm opozitën, por edhe shoqërinë civile, intelektualët, Akademinë, aktivistët etj. Fatmirësisht, në këtë kontekst, po shohim çdo ditë e më shumë hapa konkret por edhe interesim të të gjitha kategorive intelektuale e profesionale të vendit, që krahas opozitës, të ngrisin zërin dhe të kundërshtojnë këtë mentalitet qeverisës, i cili përveç korrupsionit, regresit politik dhe ekonomik, thellimit të varfërisë të qytetarëve, nuk i ka sjellë asgjë të mirë vendit.

A e vlerësoni se si opozitë keni angazhim intensiv – sepse, ka kohë që është aktuale kërkesa për rrëzimin e Qeverisë por pa ndonjë hap konkret?

Memli Krasniqi: Për fat të keq, numrat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës neve nuk na e mundësojnë marrjen e veprimeve konkrete ligjore. Dhe kjo është arsyeja që unë i kam propozuar kryeministrit Kurti që ne të merremi vesh, të kemi një dakordim politik për shpërndarjen e Kuvendit. Nëse ata vërtetë e mendojnë atë që e thonë, se qytetarët janë të kënaqur me punën e tyre dhe se kanë mbështetje qytetare, atëherë pse duhet të frikësohen nga shkuarja në zgjedhje? Kërkesa jonë është që duhet të shkohet në zgjedhje sa më parë. Ndërsa sa i përket aktivitetit, ne si PDK kemi pasur një angazhim të pandalshëm në Kuvendin e Kosovës. Me vetëm 15 për qind të deputetëve, ne kemi mbi 30 për qind aktivitete, sipas raporteve të pavarura. Si parti, jemi partia që pakrahasimisht ka qenë më së shumti në terren. Janë me qindra takime që i kemi mbajtur vetëm gjatë këtij viti. Ndërsa, po ashtu, në kuptimin legal, ne kemi fituar të gjitha rastet në Gjykatën Kushtetuese, duke penguar tendencat e këtij pushteti për zhbërjen e rregullimit kushtetues dhe kapjen e të gjitha institucioneve. Ju keni parë fushatën masive të këtij pushteti për ta kapur çdo institucion e ndërmarrje publike në vend, përmes militantëve të tyre. Drejtësia është caku i tyre i radhës dhe këtë mund ta shihni përmes sulmeve direkte të Kryeministrit, Ministres së Drejtësisë dhe të të gjithë zyrtarëve tjerë që ia bëjnë prokurorisë dhe vendimeve të caktuara të Gjykatave. Prandaj, legalisht, ne na mbetet vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila, fatmirësisht, po trajton me profesionalizëm rastet e kontestuara. Natyrisht, gjithmonë ka hapësirë edhe për veprime të tjera e të cilat do t’i vazhdojmë në sesionin vjeshtor parlamentar.

Z. Krasniqi, kohëve të fundit, keni pasur ndonjë kontakt me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në Hagë? Nëse po, çfarë thonë ata, si është disponimi i tyre?

Memli Krasniqi: Unë i vizitoj në baza të rregullta edhe Presidentin Thaçi, edhe kryetarin Veseli, por edhe bashkëluftëtarët e tyre, që ndodhen aktualisht në Hagë. Janë mirë, janë të fortë, janë të fokusuar. Natyrisht, janë shumë të interesuar dhe përcjellin me vëmendje edhe zhvillimet e ndryshme në Kosovë. Gjithsesi, siç keni mundur ta lexoni edhe në intervistën e fundit që Presidenti Thaçi dha nga Haga, mesazhi i tij është perspektiva dhe e ardhmja e qytetarëve dhe e Republikës së Kosovës. Po ashtu mesazhet e tij ishin inkurajuese, për ruajtjen e paqes, ruajtjen e raporteve të mira me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!