​Përfundon seanca në Hagë, dëshmia e Haradinajt do të vazhdojë nesër

Ka përfunduar për sot seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë ku për të dytën ditë me radhë ka dëshmuar nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Gjatë dëshmisë së tij, Haradinaj, i cili po akuzohet për publikimin e dokumenteve që dyshohet ë kenë rrjedhur nga Specialja, ka thënë se të gjitha veprimet e OVL-UÇK janë ndërmarrë për shkak të transparencës.

Haradinaj thotë se ZPS-ja po e provokon: Nuk dua t’iu ndihmoj

“Ka qenë qëllimi që diçka çka na është sjellë ne të jetë transparent, për të treguar për të mos mbajtur diçka fshehur, unë do të kisha ndjerë vetën shumë më shumë fajtor zotëri prokuror po të kisha mbajtur fshehtë këto dhe po të kisha bërë diçka tjetër me to, në kuptimin e kësaj, për të qenë koherent me kohën kur kanë ardhur. Shiko kohën kur kanë ardhur dhe kur i kemi qitë”, ka thënë Haradinaj.

Dëshmia e Nasim Haradinajt, e filluar më 11 janar para Dhomave të Specializuara, do të vazhdojë edhe nesër.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.