×
  • Lajme
  • Lajme

    100 ditëshi i Qeverisë Kurti: Ky ishte ndryshimi i vetëm me qeveritë e tjera

    Reporteri
    11 Maj 2020 | 16:22

    Qeveria Kurti, e formuar më 3 shkurt të këtij viti, nesër mbërrin në 100 ditëshin e saj. Megjithëse i mori 119 ditë negociata për t’u formuar – nga 7 tetori e deri më 2 shkurt – ajo i mbijetoi shkarkimit veç 53 ditë, për ta kaluar pjesën tjetër si qeveri e shkarkuar.


    Votimi i Albin Kurtit për kryeministër më 3 shkurt gëzoi jo vetëm mbështetësit e Vetëvendosjes por edhe shumë qytetarë të tjerë të zhgënjyer e të pakënaqur me qeveritë e kaluara. PDK-ja mbeti në opozitë, ashtu siç mbetën edhe AAK-ja e Nisma.

    Formimit të qeverisë Kurti do t’i paraprinte një zhvillim domethënës në Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo parti po e ndërronte një nen në statutin e saj që i kërkonte kryetarit të partisë dorëheqjen nëse zgjidhej kryeministër. Në vend se të heqte dorë Kurti si kryetar partie, u hoq neni nga statuti.

    VV-ja e dikurshme besonte që kryeministri duke qenë edhe kryetar i filan partisë, do t’i shërbente asaj partie më shumë se sa vendit. Kështu edhe ndodhi.

    Kurti u bë më shumë ‘kryeministër’ i Vetëvendosjes se sa kryeministër i Kosovës. Në këtë formë, kjo parti politike me të ardhur në pushtet e përdori qeverinë thjesht si ‘podium’ për fushatën e pashpallur elektorale.

    Në vend të punës konkrete, kryeministri Kurti me vartësit në qeveri nga partia e tij iu rrekën një pune të gjatë me intervista, konferenca për shtyp, statuse në rrjete sociale e të ngjashme, shkruan Express.

    Zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes në qeveri, përfshirë kryeministrin Kurti, e rritën në përmasa të jashtëzakonshme përdorimin e gjuhës së urrejtjes e mosdurimit dhe mobilizuan aktivistët e militantët në rrjete sociale.

    Kryeministri Kurti nuk do të reshte së përmenduri një konspiracion të paprovuar sipas së cilit ishte arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e e cila do të ndante Kosovën. Madje, nuk do të mjaftonte as deklarata e tre diplomatëve amerikanë, Palmer, Grenell e Kosnett, që ky konspiracion të merrte fund.

    Kjo shkaktoi edhe rrëzimin e Qeverisë. Ani që Kurti shkeli zotimin e tij qysh në muajin shkurt për heqje të taksës PORSA të vendosej reciprociteti – duke deklaruar se taksa mund të hiqej plotësisht më 1 prill ndërkohë që reciprociteti do të vendosej vetëm më 15 qershor – ai provoi të luante me kartën e një politikani parimor.

    Dhe kjo ‘parimësi’ elektorale i kushtoi Kosovës me rrezikim serioz të raporteve historike me ShBA-në.

    Por, çka në të vërtetë ndryshoi gjatë kësaj periudhe?

    Një kryeministër i ri, me oratori të zhvilluar, me emër e mbiemër të ri, por me ide të moçme.

    Kurti nuk propozoi asnjë alternativë për marrëveshjen e Kosovës me Serbinë ndërkohë që vazhdoi të kundërshtonte gjithçka tjetër që ofrohej. Ai në fakt kërkoi që të bëheshin më shumë negociata me Serbinë – megjithëse dikur ishte rreptësisht kundër tyre.

    Por, Kosova mbeti e bllokuar, ashtu siç kishte qenë edhe në të kaluarën me çështje si “demarkacioni me Malin e Zi”, “asociacioni i komunave me shumicë serbe” dhe tema të tjera që do të ndeznin pasione nacionaliste.

    Meqë nuk kishte ndryshim sa i përket dialogut, ku qëndronte ky ndryshim?

    Sa i përket ekonomisë, Kurti me fjalët e tij i kishte dhënë goditje një gjëje të tillë. Në ekspozenë e tij para se të votohej si kryeministër, në foltoren e Kuvendit më 3 shkurt, ai premtoi një buxhet prej 3 miliardësh brenda katër viteve të mandatit të tij. Pooor, megjithëse shuma 3 miliardëshe mund t’i duket e madhe dikujt, ajo në fakt përbënte ritëm më të ulët të rritjes së buxhetit se sa realizimi që e kishin bërë kryeministrat e mëhershëm, Mustafa, Haradinaj e Thaçi.

    Në vitin 2008, Kosova e kishte një buxhet prej 815 milionësh. Në vitin 2014, buxheti ishte 1 miliard e 590 milionë. Në vitin 2017 ishte 2 miliardë. Në vitin 2019 ai ishte 2,3 miliardë.

    Meriton të thuhet edhe se qeveritë e kaluara (me dallime) ishin karakterizuar nga shpenzimet e mëdha publike, skemat sociale në zgjerim e sipër, projektet e mëdha kapitale si autostradat dhe natyrisht korrupsioni endemik.

    Kosova, për fatin e saj të keq, nuk e kishte një qeveri ndryshe gjatë këtyre 100 ditëve. E kishte një qeveri që dukej ndryshe. Një dukje e prodhuar nga arsenali i jashtëzakonshëm i saj në rrjetet sociale dhe nëpër media.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!