×
  • Lajme
  • Lajme

    11 vjet pas GJND-së, vendim i jashtëzakonshëm për pavarësinë, pak i shfrytëzuar nga Kosova

    Reporteri
    22 Korrik 2021 | 17:23

    Autor: Mirlind Behluli


    E enjtja e kësaj javë shënon 11 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Ky mendim këshillëdhënës i gjykatës së Kombeve të Bashkuara theksonte se shpallja e pavarësisë nga udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës nuk është në kundërshtim me ndonjë rregull të së drejtës ndërkombëtare.


    “E drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalim të aplikueshëm për shpalljen e pavarësisë – Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Adoptimi i deklaratës ndërkombëtare nuk ka shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare”, thuhej në vendimin qe GJND mori me 22 korrik të 2010.

    Vendim i jashtëzakonshëm, jo mjaftueshëm i përdorur nga Kosova

    Profesori universitar, Visa Morina, i tha Gazetës Online “Reporteri.net” se mendimi këshillëdhënës i GJND-së është dokumenti më i rëndësishëm juridik që vulosi të drejtën e shpalljes së pavarësisë.

    “Pas Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës, lirisht mund të thuhet se Mendimi Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përbën dokumentin më të rëndësishëm juridik që ka vulosur në terma të së drejtës ndërkombëtare se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e cenon të drejtën ndërkombëtare. GJND atë kohë kishte theksuar se shpallja e pavarësisë ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk cenonte as Rezolutën 1244 të OKB-së”, deklaroi Morina për Reporteri.net.

    Ish-ambasadori i Kosovës në Washington e Ankara, Avni Spahiu, e cilëson këtë mendim të GJND-së si “konfirmimin më të rëndësishëm ndërkombëtar të pavarësisë”.

    “Ishte konfirmimi më i rëndësishëm ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës. Aq më tepër ngaqë vinte nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që kërkonte nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime. Si rezultat OKB-ja kërkoi një dialog mes Kosovës e Serbisë “për normalizim””, tha Spahiu për Reporteri.net.

    Ish-ambasadori i karrierës kujton kohën se si diplomacia kosovare e përdori argumentin e GJND-së për të vazhduar lobimin për njohje të pavarësisë.

    Megjithatë, ai thotë se është e çuditshme se si Kosova nuk e përdori aq sa duhet një vendim të tillë.

    “Diplomacia kosovare përdori këtë argument të fortë në dobi të pavarësisë së saj në fushata lobimi. Por çuditërisht, Kosova e relativizoi peshën e këtij argumenti duke e barazuar atë me kundër argumentin serb të Rezolutës 1244, si rrjedhojë e së cilës i vuri vetes “fusnotën”! Në këtë përvjetor nëse nuk e ka bërë, MPJD e Kosovës duhet prapë të rinisë kërkesat për njohje të mëtejme dhe konsolidim të legjitimitetit të vet ndërkombëtar. Ky argument vlen përgjithmonë”, shtoi Spahiu.

    Se pak u shfrytëzua nga institucionet e vendit për lobim pajtohet edhe profesori i së drejtës kushtetuese Morina, që është përfaqësues i Kosovës në Komisionin e Venedikut.

    “Ky qëndrim juridik interpretativ i GJND-së ka rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën pasi GJND përbën autoritet gjyqësor që gëzon kredibilitet global dhe ky vendim i ka hapur rrugë shumë njohjeve të reja të Kosovës gjatë dekadës së fundit. Mendoj se organet shtetërore në Kosovë kanë mundur ta maksimizojnë më tej përparësitë që sjell ky vendim gjyqësor ndërkombëtar për të forcuar më tej dhe më fuqishëm subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës si në procesin e sigurimit të njohjeve të reja ashtu edhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, komentoi Morina.

    GJND ishte e qartë: S’ka shkelje

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të 2010, pas kërkesës së Serbisë që u votua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ktheu përgjigje në pyetjen serbe nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Organet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

    Në një përgjigje të gjatë, gjykata me seli në Hagë ishte e qartë në vendimin e saj.

    “Gjykata konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalim të aplikueshëm për shpalljen e pavarësisë. Prandaj, konkludon se deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare… Prandaj Gjykata gjen se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit (1999) nuk u ndaloi autorëve të deklaratës së 17 shkurtit të 2008 për lëshuar një deklaratë të pavarësisë nga Republika e Serbisë. Kështu, deklarata e pavarësisë nuk e shkeli Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”, thuhej në vendim.

    Në vendimin e saj, GJND përshkruante rrethanat që kanë sjellë deri tek shpallja e pavarësisë duke shpjeguar ngjarjet relevante para shpalljes së pavarësisë ku, mes të tjerash, përmenden Raportin e Kai Eides, misionin e Martti Ahtisaarit për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës dhe përpjekjet e Grupit të Kontaktit.

    Për më shumë, GJND shpjegonte ngjarjet gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë duke interpretuar përmbajtjen e tekstit të deklaratës së shpalljes së pavarësisë e kundërshtimin që Serbia i bëri shpalljes së pavarësisë.

    Në fund të vendimit tregohet se në favor të mendimit se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare ishin 10 gjykatës dhe katër të tjerë votuan kundër.

    Njëra nga dy kopjeve të vendimit, të shkruara në anglisht e frëngjisht, ruhet në arkivin e GJND-së, ndërsa tjetra iu dorëzua Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.

    Zyrtarët përkujtojnë përvjetorin e 11-të

    Kryeministri Albin Kurti në një postim në gjuhën angleze në rrjetin social “Twitter” ka shkruar në 11 vjetorin e vendimit të GJND-së duke thënë se mendimi këshillëdhënës “e vulosi legalitetin e pavarësisë së Kosovës”.

    “Sot mbushen 11 vjet kur GJND-ja vulosi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Pas më pak se dy muaj, OKB miratoi një rezolutë që thërret për një dialog për paqe dhe progres mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu në Bruksel është për statusin e marrëdhënieve mes dy shteteve”, shkroi Kurti.

    Njëjtë si Kryeministri Kurti, edhe Presidentja Vjosa Osmani zgjodhi gjuhën angleze e “Twitter-in”, të shkruaj në përkujtim të vendimit të gjykatës me seli në Hagë.

    “11 vjet më parë, GJND vendosi që pavarësia jonë nuk shkel ligjin ndërkombëtar. Koha që shtetet që nuk e kanë bërë ende ta njohin këtë realitet të pakthyeshëm. Republika e Kosovës është këtu për të qëndruar: sovrane, e pavarur, demokratike dhe paqedashëse. Do të mbetet përgjithmonë kështu”, shkroi shefja e shtetit.

    Gjatë ditës politikanë, zyrtarë qeveritarë e ish-përfaqësues të Kosovës në kohën kur u vendos për këtë çështje, kanë përkujtuar 11 vjetorin e vendimit të GJND-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!