Përmes një shkrese zyrtare, e dërguar përmes e-mailit, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kishte kërkuar një votim nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Teksa kishte sqaruar rrethanat se pse ra Qeveria Kurti, Mustafa ishte folur për rrethanat aktuale dhe mundësinë e një qeverie të drejtuar nga LDK-ja e me partnerë, AAK-në, Nismën e të tjerët, shkruan Reporteri.
E tash Mustafa ka marrë votat dhe ato janë pro një koalicioni të tillë. Reporteri.net ka mësuar nga një anëtar i Këshillit të Përgjithshëm se 114 anëtar kanë votuar dhe nga ta, 108 pro dhe 6 ishin kundër.
“Votimi ka përfunduar në ora 16:00. Këshilli ka 124 anëtarë ”, ka thënë për Reporterin ky zyrtar i LDK-se.
Ajo që dihet publikisht është se nënkryetarja Vjosa Osmani është kundër një qeverie të tillë. E ka thënë këtë edhe publikisht.
“Kriter i Qeverisë së re për LDK do të jetë që asnjë anëtar i Qeverisë të mos ketë pasur dhe të mos ketë problem me ligjin, të kenë zotësi profesionale dhe të vlerësohen të pranueshëm nga qytetarët. Për shkak të gjendjes me pandeminë, Mustafa u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, që të deklarohen me PO ose me JO, për koalicionin me AAK- Nisma dhe Minoritete përmes formës elektronike.
“A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE dhe komunitetet.
Përgjigja:PO ose JO
Ju lutem që të përgjigjeni përmes emailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00”, thuhej ndër të tjera në letrën e Mustafës.
Kreu i LDK-së kishte thënë se nuk kanë nisur ende negociata me asnjë subjekt politik, ndërkohë që kishte konfirmuar se nuk duan të qeverisin me PDK-në. Derisa Mustafa bën hulumtime në partinë e tij, Presidenti i vendit i ka dërguar dy letra kreut të VV-së, Albin Kurtit të cilit po ia kërkon mandatarin për një qeveri të re. Kurti ia ktheu duke e akuzuar se po përdorë standard të dyfishta.
Nuk ka ende një sqarim se a do të vendos Presidenti ta anashkalojë VV-në meqë ajo nuk po përgjigjet, dhe ta mandatojë dike nga LDK-ja. Krejt partitë tjera janë shprehur kundër zgjedhjeve. /Reporteri