×
  • Lajme
  • Lajme

    18 vite burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllait të bashkëshortes

    Reporteri
    19 Prill 2021 | 14:54

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 18 vite burgim të akuzuarin për vrasjen e vëllait të bashkëshortes së tij në vitin 2014, Ekrem Junuzin. Aktgjykimi është shpallur të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili, sipas të cilit Junuzi për vrasje të rëndë është dënuar me 17 vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje është dënuar me 1 viti e gjashtë muaj burgim.


    Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar dënim unik prej 18 vitesh, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim prej 8 marsit 2014, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Atij i është konfiskuar edhe arma me të cilën e ka kryer veprën penale, si dhe 10 fishekë. Po ashtu, i akuzuari Junuzi është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 200 euro, si dhe shumën prej 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, kjo është hera e tretë që shkalla e parë shpall aktgjykim ndaj Junuzit. Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 shtator 2017, Junuzin e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burg efektiv.Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes së Junuzit, në shkurt të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë çështje në rigjykim, mirëpo edhe pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 qershor 2019, Junuzin sërish e kishte shpallur fajtor.

    Për vrasje të rëndë Junuzi ishte dënuar me 24 vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje me një vit e gjashtë muaj burgim, kurse, 25 vjet burg kishte qenë dënimi unik i shqiptuar ndaj tij nga gjykata.

    Ndërsa, Gjykata e Apelit më 31 tetor 2019, kishte nxjerrë vendim me të cilin për herë të dytë e kishte anuluar aktgjykimin dënues të nxjerrë në shkallë të parë dhe këtë çështje penale e kishte kthyer sërish në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas vendimit të Apelit, rezulton se vendimi i nxjerrë në shkallë të parë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave penale, dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë, i pakuptueshëm dhe në kundërshtim me vetveten.

    Ekrem Junuzi akuzohet se më 8 mars të vitit 2014, në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pasur me bashkëshorten e tij, e ka privuar nga jeta vëllain e saj, Bastri Krasniqi.

    Sipas aktakuzës, Junuzi pasi që ka tentuar të gjej zgjidhje për këto mosmarrëveshje me Bastri Krasniqin, vëllain e bashkëshortes në një kafiteri të Prishtinës, ku prezent kanë qenë edhe djali dhe vëllai i të pandehurit dhe derisa të njëjtit ishin duke u kthyer nga kafiteria, më të arritur tek shtëpia e vëllait të Junuzit, i pandehuri ka dalë nga vetura e tij dhe iu ka afruar veturës së djalit të tij ku gjendej Bastri Krasniqi, ka hapur derën e veturës dhe me dashje që ta privoi nga jeta e ka shtënë tre herë me armë zjarri, në drejtim të tashmë të ndjerit, në pjesë të ndryshme të trupit.Si pasojë e këtyre të shtënave, Krasniqi kishte mbetur i vdekur, derisa një plumb e kishte goditur në këmbë edhe vëllain e tij, Fejzi Junuzin, të cilit i është shkaktuar lëndim i rëndë trupor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!