Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorh Rohde ka folur për dështimin për të 19-tën herë që të zgjidhet kryetari i Kuvendit.
Ai në Klan Kosova tha se ky është një rekord i keq botëror.
“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit në një vend demokratik është shumë e rëndësishme. Tash është raundi i 19 dhe është goxha e trisht sepse njerëzit janë bërë apatik tani sepse thonë ne e kemi bërë punën tonë më 9 shkurt, kurse politikanët nuk e kryejnë punën e vetë. Kjo nuk është e mirë as për vendin as për reputacionin e Kosovës jashtë vendit sepse më duket mua që është rekord i keq botëror që për 19 raunde të mos zgjidhet kryetari. “, tha Rohde.
Edhe këtë të mërkurë, për të 19-tën herë radhazi, ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe zgjedhja e Albulena Haxhiut në postin e kryetares së Kuvendit.
Që nga 15 prilli Kuvendi është mbledhur çdo dy ditë. Seanca ka ngelur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit e më pas nënkryetarëve, për t’u konsideruar si i konstituuar.
Teksa Lëvizja Vetëvendosje po provon që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, opozitarët po refuzojnë ta votojnë ndryshimin e metodës së votimit.
Në herët paraprake, propozimi i Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetare./Reporteri.net/