Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi dhe Kushtrim Avdimetaj janë dënuar nga gjykata me nga 20 euro gjobë.
Ata janë gjobitur për shkak të veprimit të tyre me hedhje me vezë mbi ish kryetarin e Komisionit për Shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Murat Meha.
Lajmin për dënimin e ka konfirmuar njëri prej tyre, Egzon Azemi, i cili e shfrytëzoi rastin edhe për disa kritika, shkruan Reporteri.net.
“Para disa dite me erdhi një letër nga Gjykata në shtëpi. Ishte një vendim për dënim me gjobë 20€. Kur e kontrollova emrin e zyrtarit që ma kishte dërguar vendimin, në foton e dytë të profilit të tij ishte llogo e PDK-së, por megjithatë vendosa të shkojë ta shoh se për çka duhet të paguaj. Kur shkova sot, me thanë se jemi dënuar së bashku me aktivistin Kushtrim Avdimetaj, me nga 20€ gjobë për gjuajte me vezë ndaj Murat Mehës. Përsoni që i bëri dëm një vendi duke faluar/shitur territore, e pa u dënuar ky e shefat e tij, jo nuk do paguajmë ne që protestuam simbolikisht. Gjykimet e dënimet politike do marrin fund shumë shpejt, ashtu siq morrën fund pushtetarët që shkaktuan dëme të njëpasnjeshme por kurrë su dënuan nga sistemi i Drejtësisë! Shumë nga ne u rrahem e mbajtëm burg për protestat tona kundër Demarkacionit. Astriti u vra duke u akuzuar rreth kësaj çështje. Që demarkacioni të kalonte na thanë se vjen liberalizimi, përsëri gënjyen e gënjyen… Por fatmirësisht soji i tyre morri fund!”, ka shkruar Azemi.
Ndryshe, vlen të theksohet se Murat Meha ishte sulmuar disa herë. Madje, ai u pati kërcënuar se i është vendosur bombë afër shtëpisë, por kërcënuesit e fundit nuk u mor vesh asnjëherë kush ishin./Reporteri.net.