×
  • Lajme
  • Lajme

    20 vjet nga bombardimet e NATO-s mbi Serbinë: Kështu e kujtojnë ish-drejtuesit e UÇK-së 24 marsin e 1999

    Reporteri
    24 Mars 2019 | 17:03

    Autor: Blendi Gashi  


    20 vjet më parë, forcat paqëruajtëse të NATO-s nisën bombardimet mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi.


    Pas 78 ditëve të bombardimeve, që filluan në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, dhe largimit të forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova, u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të një milion shqiptarëve të Kosovës, që ishin strehuar, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe në shumë vende të botës.

    Ky përvjetor shënohet si ditë e shpëtimit kombëtar për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe si shkëndijë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

    Për të rikujtuar këtë datë historike, Reporteri.net ka kontaktuar me disa drejtues e ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gani Gecin dhe Zafir Berishën të cilët kanë rrëfyer se si e kujtojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, nga e morën lajmin, në ç’vende ndodheshin, ç’disponim ishte etj.

    Gani Geci, ish-ushtar i UÇK-së, rrëfen se kush ja ka kumtuar lajmin i pari për bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë dhe me cilët bashkëluftëtarë ka qenë në atë moment.

    “Ditën kur u largua nga Kosova misioni i OSBE-së, mision në të cilin ishin ushtarakët më të rryer të forcave të NATO-s, në fshatin Llaushë erdhi një mik i imi i forcave angleze i cili shërbente në OSBE me të cilin krijova një miqësi, dhe ai erdhi para se të largohej nga Kosova te unë dhe më tha ‘tani do të fillon lufta e vërtetë dhe nëse do hajde me neve me gjithë armë kështu si je dhe të dërgoj deri në Maqedoni. Jo i thash, shkoni ju dhe nëse unë do të kem jetë ju prap këtu do të më gjeni. Dhe pas 78 ditësh të bombardimeve ndaj Serbisë, oficeri i Mbretërisë së Bashkuar u kthye prap, por tani me një helikopter ushtarak të NATOS me ç’rast zbarkoi në fshatin Kotorr ku erdhi për t’i marrë komandantët e UÇK-së nga Drenica dhe me kishte kërkuar mua, por këta komandantët tonë me treguan tek pas një muaji”, rrëfen Geci për Reporteri.net.

    Geci rrëfen më tej se si një ditë para nisjes së sulmeve të NATO-s, Sadik Rexha nga fshati Kopiliq kishte shkuar në shtëpinë e tij në Lalushë për të kërkuar ndihmë për të tërhequr trupin e djalit të tij të vrarë Milazimit trupin e të cilit së bashku me bashkëluftëtarët Afrim Gecin, Beqir Zenullahun dhe Halim Klinën e derguam në fshatin Kopiliq.

    “Të nesërmen me datën 24 mars shkuam në varrim të Milazim Rexhës në Kopiliq bashkë me gazetarin e Zërit të Amerikës, Filip Smaker i cili ishte në fshatin tonë me datën 24 mars. Në mbrëmje u dëgjuan detonimet e fuqishme të bombardimeve të NATO-s që kishin cak trupat ushtarake serbe të stacionuara në Kosovë. Tani më e dija se 24 marsi ishte fillimi i fundit të Serbisë dhe liria ishte afër. Detonimet dëgjoheshin kudo. Tani nuk ishim ne ata që iknin nga forcat serbe. Ishin forcat serbe ato që iknin nga bombardimet e NATO-s. Pas dy apo tre dite nuk më kujtohet saktë, por një aeroplan i forcave serbe erdhi shumë ultë mbi lagjen tonë dhe ne menduam se ishte aeroplan i NATO-s, por ai sulmoi shtëpinë e Ajet Gecit të xhamia e Llaushës me bomba kaset, por mbrapa kishte pasur një aeroplan të NATO-s dhe aeroplani serb përfundoi i rrëzuar nga aeroplani NATO-s në fshatin Tërstenik. Copat dhe mbeturinat e aeroplanit serb por dhe revolja e pilotit të djegur i gjetën më pas disa ushtarë të fshatit Terstenik”, tregon Geci.

    Ai më pas rrëfen se ku ka qenë me datën 24 mars.

    “Gjithë kohën gjatë bombardimeve kam qenë ose në fshatin Llaushë ose në fshatrat për rreth dhe as edhe një minutë të vetëm nuk e kam lëshuar Llaushën e Drenicën derisa forcat e NATO-s erdhën në Komunën e Skenderajt”, tregon Geci.

    Një rrëfim interesant për 24 marsin e 99-tës ka edhe ish-shefi i Shtabit të Brigadës 125 të Zonës së Pashtrikut , Zafir Berisha, tash deputet i NISMA-s për Kosovën.

    Ai tregon se momentin e nisjes së bombardimeve ka qenë në lagjen Tusuz të Prizrenit.

    “Rreth orës 20.00, papritur u ndërpre programi i rregullt i televizionit shqiptar që po shihnim, kur gazetari paralajmëroi fillimin e sulmeve të NATO-s mbi qarqet serbe. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, sepse në momente tepër vendimtare për vendin, vinte në ndihmë edhe një aleancë e fuqishme politike – ushtarake.
    Ishte një ndjenjë e përzier gëzimi dhe ndjenje force mes rezistencës sepse e kuptuam se ishte fillimi i fundit i regjimit fashist serb në Kosovë. Kur dolëm nga shtëpia ku ndodheshim në Tusuz, banorët e lagjes kishin dalë nëpër rrugë dhe s’e kishin idenë si të vepronin, sepse Prizreni ishte nën alarmet trishtuese të forcave serbe, të cilat në lagjen ‘Bajram Curri’, me të cilën na ndante vetëm lumi, në fabrikën e Farmakosit kishin filluar të fshihnin tanket, në një kohë që nga lëvizjet e tyre dridhej i tërë qyteti. Ne i qetësuam banorët me të cilët komunikonim, dhe u sugjeruam që të mos lëviznin për momentin nga lagja, sepse nuk dihej ende se çfarë po ndodhte, dhe qyteti ishte në errësirë të plotë”, tregon Berisha për Reporteri.net.

    Ai më tej tregon pse 24 marsi i 99-tës për ishte ndjenjë e përzier, pra gëzimi por edhe trishtimi.

    “Bombat e para ranë në kazermat e ushtrisë jugosllave që ishte në dalje të Prizrenit, në drejtim të Suharekës. Dolëm mbi qytet dhe me radio-lidhëset hymë në frekuencat e forcave serbe, ku nga bisedat e kuptuam se ishin në kaos.

    Personi me shifrën ‘shara 101’, i cili me gjasë ishte ndonjë udhëheqës i policisë ishte në gjendje paniku, duke gjykuar nga zëri i tij, dhe gjatë gjithë kohës shante në gjuhën serbe dhe jepte urdhra se si duhej vepruar.

    Diku nga ora 22:00 disa lokale dhe banesa në Prizren u pushtuan nga flakët, dhe forcat serbe vazhduan valën e terrorit ndaj qytetarëve. Në gjithë këtë ndjenjë të përzier gëzimi e trishtimi, për ata që e shinim me sy dhe përjetonin ishte një moment ku dikush nga njësitet e UÇK-së, në frekuencat e policisë serbe kishte vënë një këngë për Skënderbeun, e cila po tmerronte policinë serbe… Lufta jonë tashmë në rrethana të reja, vazhdoi deri më 12 qershor 1999, ditë kur në mënyrë triumfuese UÇK hyri në Prizren”, tregon Berisha. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!