×
  • Lajme
  • Lajme

    22 zyrtarë policorë kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë si pasojë e COVID-19

    Reporteri
    13 Shtator 2021 | 15:29

    Pos mjekëve, infermiereve dhe punëtorëve të tjerë shëndetësor janë edhe policët ata të cilët janë të angazhuar në luftën anti-covid.


    Që nga 30 gushti Policia e Kosovës është duke punuar me orar të zgjatur nga 8 orë në 12 orë.

    Ky vendim është marrë pas masave të reja Anti-Covid, e ku qëllimi i zgjatjes së orarit të tyre ishte shtimi i prezencës së policisë në rrugët e Kosovës.

    “Policia e Kosovës është duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, sipas planifikimeve operacionale ka filluar realizimin e detyrave konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa”, thuhet në një përgjigje të dhënë për Paper Radio nga Zyra për informim e Policisë së Kosovës.

    Zyrtarët policor priten që të kompensohen për orët shtesë të punës së tyre sipas procedurave.

    Sipas Policisë së Kosovës prej fillimit të pandemisë 22 punonjës të kësaj organizate kanë humbur betejën me COVID-19.

    “Numri aktual i punonjësve të infektuar me Covid-19 është rreth 144, përderisa si pasojë nga fillimi i pandemisë e deri më tani kanë humbur jetën 22 punonjës. Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik dhe interesin e zyrtareve policorë Policia e Kosovës, Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e PK-së sipas planifikimeve ka filluar me kohë ndërmarrjen e masave mbrojtëse për punonjësit e saj, përfshirë pajisjen me masa mbrojtëse, dezinfektimin e hapësirave të punës dhe sensibilizimin përmes aplikimit të formave të ndryshme”, treguan nga Policia e Kosovës.

    Veç tjerash Policia e Kosovës apeloi qytetarët që të respektojnë masat Anti-Covid.

    “Policia e Kosovës, njëkohësisht apelon te të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat Anti-COVID, në mënyrë që edhe një herë të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese”, deklaroi Policia e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!