24 orë pas arrestimit në Serbi të ish-pjesëtarit të UÇK-së, krerët e shtetit heshtin për rastin

Kanë kaluar 24 orë që kur zyrtari i lartë i ATK-së në Gjakovë, Marjan Gjokaj është arrestuar nga policia serbe në kufirin Kroaci-Serbi. Krejt kjo në bazë të një urdhër-arresti të prokurorisë së ish-regjimit të Millosheviqit, që ishte venë në ndjekje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, gjatë fillimit të luftës së fundit në Kosovë. Ministria e Jashtme e Kosovës pranon se nuk kanë shumë informacione për ish-pjesëtarin e luftës, dhe thonë se janë në pritje të ndihmës që në të tilla raste mund të bëhet nëpërmjet zyrës së BE-së në Beograd. Krerët e shtetit deri më tani nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë rast.  


Marjan Gjoka nga Gjakova, të dielën pasdite, po kthehej me veturë nga Kroacia. Gjatë kontrollit të pasaportave në kufirin kroat me Serbinë ai u arrestua nga policia serbe.

24 orë pas, Zyrtari i Administratës Tatimore të Kosovës po vazhdon të mbahet në arrest nga autoritetet e Beogradit, një stacion policor të qytetit serb Shid, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Gjoka, si ish-pjesëtar i UÇK-së, sipas autoriteteve të Beogradit ka rezultuar të jetë në kërkim qysh nga vitit 1997. Kjo pasi Prokuroria serbe e ish-Jugosllavisë ishte vënë në ndjekje të tij, sikurse edhe të shumë ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së, për shkak të angazhimit të tyre në çlirimin e Kosovës nga regjimi i Millosheviqit.

Derisa gjakovari po mbahet në prangat e policisë serbe, autoritetet e Kosovës shfaqen të pafuqishme në mbrojtjen e zyrtarit të një institucioni të rëndësishëm në Kosovë.

Krejt çka është parë deri më tani janë dy reagime të Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli në Facebook. I pari i dhënë mbrëmë pasi Reporteri.net raportojë për arrestimin e Marjan Gjokajt në Serbi dhe një tjetër para pak orësh, në të cilën zëvendëskryeministri njofton se i ka shkruar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, “për të shprehur shqetësimin e thellë të Republikës së Kosovës për arrestimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe”.

“Unë i bëj thirrje BE-së që të ndërhyjë dhe të ndalojë këto veprime nga Beogradi. Kosova është e gatshme të marrë masa për të reaguar dhe për të mbrojtur qytetarët e saj të të gjitha përkatësive etnike dhe fetare”, ka shkruar Ministri Pacolli.

Edhe këshilltari i tij, Jetlir Zymberaj në një bisedë për Reporteri.net ka përmendur letrën që shefi i tij ka çuar në drejtim të zyrtares së lartë të BE-së.

“Në rrafshin politik ne i kemi nisur një letër Mogherinit, dhe me ndihmën e zyrës së BE-së në Beograd po synojmë ta lirojmë”, tha Zymberaj të hënën.

Sipas tij, krejt çka iu është dhënë nga Beogradi përmes linjës zyrtare, është se Marjan Gjoka ka pasur një urdhër-arrest nga shteti serb qysh prej kohës së luftës.

“Këto janë arsyetimet banale që shteti serb përdor qëllimshëm ndaj qytetarëve të Kosovës në kundërshtim me secilën marrëveshje dhe zotim ndërkombëtar”, tha Zymberaj.

24 orë pas arrestimit të Marjan Gjokajt në Serbi – në bazë të një urdhër-arresti të kohës së Millosheviqit që ishte vënë në ndjekje të tij pasi ishte identifikuar si pjesëtar i UCK-së – vazhdon të trajtohet në heshtje nga krerët e shtetit të Kosovës.

Presidenti i vendit Hashim Thaci, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli deri më tani nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë rast, as në paraqitjet e tyre e as në Facebook. Ndonëse në këtë të fundit, të tre këta kanë qenë aktiv me postimet e tyre për aktivitetet tjera. /Reporteri.net/.