×
  • Lajme
  • Lajme

    30 ditë paraburgim zyrtarit policor në Gjilan për posedim të kokainës

    Reporteri
    25 Janar 2022 | 11:09
    Fotografi ilustruese.

    Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve A. H. dhe L. H.

    Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dashje, në bashkëkryerje, kanë poseduar pa autorizim substancë narkotike të llojit “kokainë”, të njëjtët me marrëveshje paraprake në mes vete substancën narkotike ia kanë shitur të pandehurit F. S., i cili ishte fshehur në një motel së bashku me të pandehurit e tjerë, që gjenden në arrati.

    Po ashtu, të pandehurit A. H. (zyrtar policor) dhe L. H. me dashje, në bashkëkryerje, në kundërshtim me Ligjin për armët, ia kanë shitur një armë zjarri të pandehurit F. S.

    “Me këto veprime të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale: ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Importi, eksporti furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve ose materieve plasëse, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

    Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marrë për bazë këto që u thanë më lart, masat e tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

    Ndryshe, të dielën Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se hetuesit e IPK-së në Gjilan kanë arrestuar një punonjës të Policisë (staf civil) dhe një qytetar, me dyshimin se të njëjtët kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët, pas pranimit të disa informacioneve përmes rrugëve operative – hetimore, me dyshimin së në këtë rast ishte i përfshirë edhe një punonjës i Policisë, respektivisht një zyrtar i stafit civil i punësuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan. Hetuesit e IPK-së në këtë rast kanë aplikuar metoda dhe teknika të hetimit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe gjatë kontrollit të të dyshuarit është gjetur 0.6 gram substancë narkotike, që dyshohet të jetë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme e pakove të cigareve, me të cilat dyshohet se është bërë pagesa e substancës së dyshuar narkotike”, thuhej në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!