Një takim dy-ditor i ministrave të jashtëm të shteteve të NATO-s do të mbahet në Bukuresht të Rumunisë që për fokus do të ketë forcimin e mbështetjes ndaj Ukrainës nga pushtimi rus, raporton gazeta online Reporteri.net.
Sekretari Gjeneral Jens Stoltenberg, lajmëroi se pjesëmarrësit do të kenë vëmendjes ndaj “Luftës së paligjshme ruse në Ukrainë, e cila vazhdon të kërcënojë paqen dhe sigurinë euro-atlantike”.
30 ministrat e shteteve anëtare të NATO-s gjithashtu do të trajtojnë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancën Veri-Atlantike.
Gjithashtu edhe veprimet e Kinës, për të cilat Stoltenberg tha se “po e rrisin prezencën prej Arktikut e deri në Ballkanin Perëndimor, duke u përpjekur të shtënë nën kontroll infrastrukturën e rëndësishme të aleatëve të NATO-s”.
Një nga temat e takimit do të jetë rritja e ndihmës ndaj Bosnje-Hercegovinës, Molldovës dhe Gjeorgjisë, “vendeve partnere që përjetojnë presion rus në mënyra ta ndryshme”, ka thënë Jens Stoltenberg.
Gjatë takimit dyditor do të mbahen tre takime të Këshillit të Atlantikut të Veriut, organ ky kyç i NATO-s i ngarkuar me vendimmarrje.
Së bashku me ministrat e vendeve anëtare të NATO-s, në të tre takimet do të marrin pjesë edhe krerët e diplomacisë së Suedisë dhe Finlandës, vende të të cilave pritet së shpejti anëtarësimi në aleancë, raporton gazeta online Reporteri.net.
Të gjithë anëtarët e NATO-s nënshkruan protokollin për pranimin e Suedisë dhe Finlandës dhe vetëm Hungaria dhe Turqia nuk e ratifikuan atë.
Në ditën e parë të takimit do të mbahet një darkë pune, ku ministrave të jashtëm të 30 vendeve anëtare të NATO-s, Suedisë dhe Finlandës, do t’u bashkohet edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Një ditë më vonë, të mërkurën, do të mbahen dy takime të Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s. Krerëve të diplomacisë së vendeve anëtare të aleancës, Suedisë dhe Finlandës, në të dytin do të bashkohen ministrat e jashtëm të Bosnjë-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.
Menjëherë para fillimit të takimit dyditor, Stoltenberg do të mbajë një fjalim në një forum të organizuar nga dega rumune e Institutit Aspen dhe Fondi Gjerman Marshall i SHBA-ve, me mbështetjen e NATO-s dhe më pas do të ketë një takim dypalësh me shefin e diplomacisë amerikane, Anthony Blinken./Reporteri.net/