×
  • Lajme
  • Lajme

    343 zyrtarë policorë problem me grada

    Reporteri
    26 Maj 2019 | 23:01

    Autor: Blendi Gashi


    Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një varg parregullësish në Ministrinë e Punëve të Brendshme që aktualisht drejtohet nga mjeku Ekrem Mustafa që vije nga partia Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.


    Disa nga problemet që ka gjetur Auditi në këtë ministri janë: ushtrimi i pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara, marrëveshje për shërbime të veçanta në pozitat e rregullta dhe afat më të gjatë se sa lejohet me ligj, mungesë e deklaratës me shkrim për tenderin me çmime jo-normalisht të ulët, mangësi në procesimin e pagesave, menaxhim i dobët i flotës së automjeteve etj.

    Gjetja UA Nr. 04/2017 për rregullimin e marrëdhënies së punës në Policinë e Kosovës (i cili ka qenë në fuqi për vitin 2018), parasheh që me rastin e sistemimit të punonjësve apo caktimit në pozita të lira të punës, duhet të përfillen kushtet dhe kriteret që parashihen për ato pozita, përfshirë kualifikimin, gradën, përvojën etj. Derisa sipas sistemit të pagave të Policisëӕsë Kosovës, koeficienti i pagës bazë për stafin policor përcaktohet në varësi të gradës dhe jo në bazë të pozitës së punës.

    16 zyrtarë policor nga dy deri në tri grada më të larta

    Auditi ka vërejtur se në Policinë e Kosovës vazhdojnë të ushtrohen pozita të punës nga zyrtarë policor që nuk posedojnë gradën adekuate të cilën e kërkon pozita e ushtruar, dhe vazhdojnë të kompensohen në bazë të pozitës.

    “Kjo është në mospërputhje me sistemin e pagave të PK-së. Sipas të dhënave të raportuara nga njësia e personelit të PK-së për vitin 2018, numri i zyrtarëve policor që ushtrojnë pozita në mospërputhje me gradën e arritur ishte 343. Prej tyre, 191 zyrtarë ushtronin nga një gradë më të lartë, 16 të tjerë nga dy deri në tri grada më të larta, dhe pjesa tjetër ushtronin pozita që kërkojnë grada më të ulëta. Lidhur me këtë çështje ne kemi rekomanduar edhe në vitet paraprake. Përkundër kësaj, gjatë vitit 2018 ka vazhduar praktika e njëjtë. Nuk kemi marrë ndonjë sqarim të vlefshëm në lidhje me arsyet/shkaqet për mos zbatimin e rekomandimit tonë në lidhje me ketë çështje”, thuhet në raport.

    Auditi më tej ka gjetur se janë bërë marrëveshje për shërbime të veçanta në pozitat e rregullta dhe afat më të gjatë se sa lejohet me ligj.

    Sipas nenit 12.4 të Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

    “Në Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) numri i të punësuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta ishte 11 ( 7 prej tyre në pozita të rregullta si zyrtar të financave, personelit, për marrëdhënie me publikun, logjistikë etj). Në katër raste, kohëzgjatja e marrëveshjeve ishte nga data 01.01.2018–31.12.2018 duke e tejkaluar afatin ligjor të paraparë për zbatim të këtyre marrëveshjeve”, thuhet në raport.

    Tre aplikantët nuk e plotësuan kriterin e arsimimit dhe kualifikimit për zyrtar të financave

    Problem tjetër që ka gjetur Auditi në MPB është mangësia në procedurën e angazhimit me marrëveshje për shërbime të veçanta.

    Sipas konkursit të shpallur nga AME për angazhim me marrëveshje për shërbime të veçanta në pozitën e zyrtarit të financave, ishin përcaktua kriteret specifike të cilat kandidatët do duhej t’i plotësonin. Tek kualifikimi profesional ishte kërkuar diplomë universitare në drejtimin ekonomik, financa, biznes apo të ngjashme.

    “Ne kemi gjetur se asnjë nga tre aplikantët nuk e plotësonte kriterin e arsimimit dhe kualifikimit profesional dhe të gjithë ishin vlerësuar me pikë (nga 10-20) nga komisioni vlerësues. Përveç kësaj, kishte dobësi edhe në vlerësimin e testit me shkrim të kandidatëve, ku në disa raste për përgjigjen e njëjtë, dy kandidatë ishin poentuar ndryshe, si dhe në raste tjera për përgjigje të ndryshme në të njëjtën pyetje, kandidatët kishin marrë vlerësim të njëjtë”, thotë Auditi.

    E gjetur tjetër është mungesa e deklaratës me shkrim për tenderin me çmime jo-normalisht të ulët.

    Sipas Ligjit dhe rregullave të zbatueshme të Prokurimit Publik, në rast se një tender (apo një pozicion i tenderit) duket të jetë jo normalisht i ulët, Autoriteti Kontraktues (AK) duhet të kërkoj me shkrim nga Operatori Ekonomik i cili ka dorëzuar tenderin që duket të jetë jo-normalisht i ultë, një deklaratë me shkrim e cila përfshinë një zbërthim të detajuar të pjesëve relevante të tenderit dhe e cila përfshin një shpjegim për çmimin e ultë duke përdorur formularin standard të miratuar nga KRPP-ja “Shkresa standarde për tenderët jo-normalisht të ulët”7.

    “Në kontratën e nënshkruar ”Mirëmbajta dhe servisimi i automjeteve të IPKsë” në vlerën prej 59,835€, operatori ekonomik fitues kishte ofertuar me çmime jo normalisht të ulëta për disa artikuj, AK nuk kishte kërkuar deklaratë me shkrim nga OE, në lidhje me çmimet e ofruara”, thuhet në raport.

    Në 20 raste, mangësi në procesimin e pagesave

    MPB ka mangësi edhe në procesimin e pagesave. Rregulla financiare Nr.01/2013 përcakton që fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa.
    Nga mostrat e testuara në kategorinë e investimeve kapitale si dhe mallrave dhe shërbimeve, në 20 raste, Auditi ka vërejtur se zotimi dhe urdhërblerja janë lëshuar pas pranimit të mallit/shërbimit dhe pas pranimit të faturës.

    “Kjo është në kundërshtim me procedurat e përgjithshme për procedimin e pagesave që përcaktohen me rregulloren në fuqi Sipas zyrtarëve kompetent procedimi i urdhërblerjes pas pranimit të faturës, në raste të caktuara është bërë me qëllim që mjetet të mos bllokohen në rast se nuk arrijnë të realizohen ato furnizime, derisa, ka pasur mungesë të mjeteve në kohën e duhur për disa pagesa tjera, e që si pasojë janë vonuar në nxjerrjen e zotimeve dhe shlyerjen e obligimeve”, thekson Auditi.

    91 automjete presin për riparim

    Si edhe çdo vit tjetër edhe për vitin e kaluar, Auditi thotë se MPB ka menaxhuar dobët me flotën e automjeteve.

    Servisimi dhe riparimi i automjeteve varësisht nga prishjet për të cilat janë dërguar në Flotën e Policisë, sipas rregullave të tyre duhet të kryhet brenda një periudhë optimale (1-3 muaj).

    Por Auditi ka vërejtur se menaxhimi me flotën e automjeteve e Policisë së Kosovës ku bëhet servisimi dhe riparimi i automjeteve vazhdon të jetë ende i dobët.

    “Vazhdon të ketë vonesa të stërzgjatura në riparimin e automjeteve, ku një numër i tyre ishin në pritje për riparim që nga viti 2016. Numri i automjeteve që presin për riparim janë: 16 automjete nga viti 2016, 35 automjete nga viti 2017 dhe 45 të vitit 2018. Arsyet e pritjes kaq të gjatë për riparim të automjeteve sipas zyrtarëve të flotës janë: mungesa për një kohë të gjatë e kontratave për furnizim. Shumica e automjeteve në pritje janë të prodhuesit Volkswagen ku PK nuk ka pasur kontratë për furnizim që nga 19.09.2015, pavarësisht se një kontratë ishte lidhur me 15.03.2017 dhe pas kërkesave nga personeli i flotës për furnizim me pjesë, ata nuk kishin marrë furnizimet të cilat do t’i bënin funksionale këto automjete, vjetërsia e automjeteve, numri i vogël i stafit etj”, thuhet në raport.

    Probleme kjo ministri ka edhe me avancet e hapura. Auditi thekson se avancet e hapura nga vitet e kaluara duhet të mbyllen me se largu deri në fund të periudhës se parë të vitit pasues.

    “MPB kishte paraqitur në Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV) avance të hapura në vlerë prej 68,929.61€, prej të cilave 33,948.61€ kishin të bënin me avance të bartura që nga vitit 2010. Sipas zyrtarëve të MPB-së dhe PK-së, këto avance figurojnë si të hapura në MF por entiteti akoma nuk ka arritur t’i identifikoj se për cilat avance bëhet fjalë, dhe sipas të dhënave të MPB, të gjitha avancet figurojnë të mbyllura. Nga dëshmitë e siguruara PK dhe MPB kanë kërkuar disa herë nga Ministria e Financave informata për vlerën prej 33,949€ e cila sipas zyrtarëve të MPB ato do duhej të figuronin si të të mbyllura, por ende nuk kanë arritur që me MF ta zgjidhin këtë problem”, thuhet në raport.

    Auditi tek MPB-ja ka gjetur edhe regjistrim jo të saktë të shumës së gjobave.

    Llogaritë e arkëtueshme duhet të paraqiten në regjistrat e Policisë së Kosovës me shumën më të cilën është gjobitur pala e jo sipas limitit më të lartë të cilin e lejon neni i ligjit përkatës.

    Auditi ka vërejtur se në pesë raste, vlera e gjobave mandatore të paraqitura në regjistër nuk është e njëjtë me gjobën që ju ka shqiptuar shkelësve të ligjit, por është paraqitur vlera më e lartë bazuar në nenit përkatës të ligjit. Vlera e këtij gabimi ishte 11,290€.
    “Kjo ka ardhur si pasojë e futjes së gabueshme të informatave në sistemin elektronik, pasi që ndërlidhja elektronike e dënimeve me regjistrin është bërë bazuar në nenet e ligjeve të cilat parashohin maksimumin e gjobave, e jo në bazë të shumës së gjobave që janë shqiptuar”, thuhet në raport. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!