×
  • Lajme
  • Lajme

    400 mijë armë ilegale në duar të qytetarëve, për 3 vite mbi 100 persona kanë vdekur nga armët

    Reporteri
    11 Maj 2021 | 16:30

    Brenda tre viteve në Kosovë janë vrarë 87 persona nga armët e zjarrit. Ndërkohë që armët mund të blihen shumë lehtë në tregun e zi llogaritet që rreth 400 mijë armë ilegale i kanë në posedim qytetarët e Kosovës.


    Që nga janari i këtij viti, 13 persona janë vetëvrarë me armë zjarri në Kosovë. Derisa tre persona janë vrarë me armë zjarri, gjatë të njëjtës periudhë. Këto statistika janë bërë të ditura nga Policia e Kosovës.

    Sipas statistikave të Policisë, numri i vrasjeve me armë zjarri ka qenë i lartë edhe gjatë viteve të kaluar. Në vitin 2018 nga armët e zjarrit janë vrarë 34 persona, kurse gjatë vitit 2019 ky numër ka shënuar rënjë në 22 persona, duke u rritur përsëri në vitin 2020 në 28 vrasje.

    Ndërsa, në vitin e kaluar numri i vetëvrasjes nga armët e zjarrit ishte 37.

    “Gjatë vitit 2020 janë evidentuar 37 raste të vetëvrasjeve, kurse këtë vit deri ne fund te muajit prill (2021) janë 13 raste të tilla”, thuhet në përgjigjet e PK-së.

    Policia e Kosovës, ka deklaruar se brenda 3 muajve në gjithë vendin ka konfiskuar 278 armë ilegale. Përveç këtyre armëve policia ka konfiskuar edhe 3 mijë e 984 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Gjatë muajve të parë të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Siguri Publike ka pajisur me leje mbi 1 mijë persona për blerje të armëve të zjarrit. Derisa 211 qytetarëve u ka vazhduar leje për bartje të armëve.

    “Departamenti për Siguri Publike ka lëshuar këto leje në vitin 2021: Leje për blerje 1365, Leje-vazhdime 211. Leje-ndërrim kartele 99 dhe vetëm gjashtë personave u është refuzuar leje për blerje të armëve”, thuhet ne përgjigjen e MPB-së.

    Çmimi i armëve ilegale në tregun e zi?

    Pajisja e qytetarëve me armë ilegale bëhet në mënyrë fare të lehtë. Në Kosovë operon tregu i zi i armëve ku çdo person mund të posedojë çdo lloj arme.

    Çmimet e armëve në këtë treg mund t’i gjesh nga më të lirat e deri tek më të shtrenjta.

    Eksperti i Sigurisë publike, Fadil Kajtazi në një prononcim për gazetën Insajderi ka treguar se çmimet e armëve shkojnë nga 200 deri në 2 mijë euro varësisht nga kërkesa e personave.

    “Në tregun e zi mund të blesh armë nga të gjitha llojet duke filluar nga pistoletat me reduktues të krismës e deri tek pistoleta automatike. Një pistoletë e kalibrit 9 mm e modeleve të ndryshëm shkon deri në 1-2 mijë euro, një pistoletë e prodhimit lindor TT mund ta blesh me 300 euro kurse një pushkë automatike të familjes kallashnikov mund ta blesh deri në 350 euro”, ka thënë Kajtazi.

    Kajtazi ka treguar se shumica e armëve në tregun e zi janë armë të mbetura nga lufta e fundit në Kosovë.

    “Në tregun e zi ka qarkullim të madh të armëve, qytetarët mund të vijnë shumë lehtë te to. Një pjesë e armatimit që është në tregun e zi ka mbetur nga lufta e fundit, si tek njerëzit që kanë qenë furnizues, si tek ata që kanë qenë në radhët e UCK si dhe tek serbet ilegale për arsye se njësitet mbrojtjes territoriale të Serbisë iu kanë lënë serbëve armatim shumë edhe tani një pjesë madhe e këtij armatimi ka dal në treg”, tha me tej ai.

    Sipas Kajtazit, rreth 400 mijë armë ilegale janë në duart e qytetarëve, ndonëse armatimi Jugosllavë mbetëm më i kërkuar në tregun e zi.

    “Dikun rreth 400 mijë armë ilegale të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm janë në duarë të qytetarëve. Pistoletat më të kërkuara dhe që qarkullojnë më së shumti në treg janë pistoletat M57 TT e Cerven Zastava dhe pistolet 9 mm CZ999”, tha Kajtazi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!