400 mijë marka në këmbim të vajzës, si u arrestua pas rreth 20 vjetësh i dyshuari për rrëmbimin në Prizren

Një rast rrëmbimi kishte ndodhur në janarin e vitit 2001 në Prizren.


Një 19-vjeçare ishte rrëmbyer nga katër të dyshuar, të cilët për lirimin e saj po kërkonin një shumë të madhe parash nga familja e viktimës. Pas rreth 20 vjetësh, është arrestuar një nga katër të dyshuarit për rrëmbimin e saj

Para rreth 20 vjetësh, katër persona kishin rrëmbyer vajzën e një biznesmeni nga Prizreni.

Për ta kthyer 19-vjeçaren në shtëpi, rrëmbyesit kishin kërkuar 400 mijë marka nga familja e saj.

Viktima ishte liruar, në këmbim të të hollave që familja kishte siguruar për rrëmbyesit.

Policia nuk kishte arritur të arrestonte asnjërin nga katër të dyshuarit, të cilët pas grabitjes ishin arratisur.

Pas rreth 20 vjetësh, në pikën e kalimit në Merdare, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prizren, është arrestuar një prej të dyshuarve.

53-vjeçari N.P. u arrestua të shtunën nën dyshimet se ishte pjesë e grupit të cilët kishin rrëmbyer 19-vjeçaren.

Por, policia nuk ka arritur të arrestojë edhe tre të dyshuarit tjerë të cilët gjenden në arrati që nga koha e rrëmbimit.

Ndërkohë, për arrestimin e njërit prej të dyshuarve ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh të së dielës.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Prizren (NN) 11.01.2001 – NN. Lidhur me rastin, në bazë të urdhëresës, me 24.10.2020 në Pike Kalimin Kufitar (PKK)-Merdare, është arrestuar i dyshuari mashkull /Kos., dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në njoftimin e policisë./Express/