×
  • Lajme
  • Lajme

    Ardian Gjini shkarkon dy drejtorët që i dolën kundërkandidatë për kryetar të Gjakovës

    Reporteri
    18 Gusht 2021 | 22:12
    Ardian Gjini, kryetar i komunës së Gjakovës

    Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i ka shkarkuar nga detyra dy drejtorë komunal, pjesë e qeverisë së koalicionit të AAK-së në qeverisjen komunale.


    Fazli Hoxha, drejtor i Inspektoratit, nga Nisma Socialdemokrate dhe drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Ferdinand Kolaj nga PSHDK janë dy të shkarkuarit të cilët kanë kandiduar për kryetar komune.

    Kryetari Ardian Gjini ka treguar hapur para mediave se i ka shkarkuar për shkak të kandidimit të tyre për kryetar komune.

    “Ata të dy kanë kandiduar për kryetar komune dhe nuk ka kuptim tani që ne të debatojmë për programet e partive tona nëpër studio gjatë mbrëmjeve e në mëngjes unë të iu jap urdhra atyre. Nuk ka logjikë politike”, është shprehur Gjini.

    “Kam biseduar dje me ta gjatë dhe i kam liru prej detyrës, i falënderoj për punën, nuk janë shkarku pse kanë punu apo janë sjellë keq”, ka theksuar Gjini pas vendimit për shkarkim.

    Në anën tjetër njëri nga dy të shkarkuarit, Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate, në një konferencë shtypi pasi ka njoftuar se kryetari Gjini ka kërkuar një “dorëheqje miqësore” nga ana e tyre, nuk është pajtuar me vendimin e kryetarit duke e quajtur të njëanshëm, shkruan Koha.net.

    “Është e papranueshme dorëheqja miqësore, derisa nuk ka shkelje në detyrë”, ka theksuar ai. “Vendimi ka të bëjë me fuqizimin tim si kandidat për kryetar dhe të Nismës si parti në Gjakovë dhe tjetra është se unë i kam ndalë të gjitha ndërtiimet pa leje, kam qenë i vendosur dhe tani në kohë fushate ka tendenca që të fillojnë ndërtime pa leje në komunën tonë nga disa grupe dhe për këta ka ardhur deri tek ky vendim”, është shprehur Hoxha ndër të tjera.

    Gazeta Online “Reporteri.net” të hënën ka raportuar se Ferdinand Kolaj do të kandidojë për kryetar të Gjakovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!