×
  • Lajme
  • Lajme

    Vonë me rishikimin e Demarkacionit

    Reporteri
    13 Korrik 2019 | 8:27

    Është bërë më shumë se 1 vit qëkur në Kuvendin e Kosovës është ratifikuar Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, megjithatë edhe sot e kësaj dite ende nuk është bërë korrigjimi i kufirit me shtetin fqinj ashtu siç pati premtuar kryeministri Ramush Haradinaj.


    Përfaqësues të ekzekutivit kanë thënë për “Zërin” se komisionet janë duke u përgatitur për të dalë në terren dhe për t’u angazhuar në këtë çështje. Ndërsa kryetari i Komisionit për Shënimin e Kufirit, Shpejtim Bulliqi, ka thënë për gazetën “Zëri” se po presin që t’u hapen rrugët për korrigjim. Derisa nuk ka dashur të japë më shumë informacione në këtë drejtim, ai ka thënë se për çështjen e rishikimit të kufijve duhet të flasë vetë Qeveria, pasi kjo gjë nuk është punë e Komisionit.

    Në anën tjetër vetë kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme ka takuar ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, me të cilin ka folur për hapat të cilët duhet të ndërmerren për finalizimin e rishikimit të kufijve me Malin e Zi.

    “Rishikimi i Demarkacionit në drejtim të Kullës dhe të Çakorrit është proces i cili ka marrë tashmë dakordimin e dy qeverive, të Kosovës dhe të Malit të Zi. Krahas punës së komisioneve ndërshtetërore dhe parapërgatitjeve sot prita në takim ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Mujë Rugova, me të cilin biseduam për ecurinë e këtij procesi dhe për hapat e mëtutjeshëm që duhet ndërmarrë për finalizimin e tij, respektivisht për korrigjimin e sektorëve në drejtim të Kullës dhe të Çakorrit”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin e tij social “Facebook”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!