9-vjeçarja që jeton në Gjermani i jep mbi 1 mijë euro që i kurseu për “Jetimat e Ballkanit”

Loriana 9 vjeçare që jeton në Gjermani, ka zgjedhur që mbi 1 mijë euro kursime t’i dhurojë për shoqatën e Halil Kastratit,  “Jetimat e Ballkanit”.


Loriana ka folur pasi dhuroi shumën, duke thënë se paratë që i ka marrë nga prindërit, i ka kursyer për t’i dhënë për ata që kanë nevojë.

“Prej herës së parë kur e kam pa Halil Kastratin, ja kam nis me mbledh pare për bamirësi. Mami edhe babi më kanë jep pare, edhe unë i kam mbledhë, e sot kam ardhë këtu me ja jap hoxhës Halil Kastrati. Kam qef me i ndihmu familjes, me ju ndihmu do njerëzve”, ka thënë 9-vjeçarja, duke thënë se ka mbledhur më shumë se 1 mijë euro.

Halil Kastrati ka treguar se me këtë shumë, ajo mund të ndihmojë mbi 20 familje me pako ushqimore, apo edhe për qëllime tjera bamirësie.

Vajza ka dashur që paratë e saj të shkojnë për të ndihmuar ndonjë të sëmurë dhe ndonjë familje me pako ushqimore.

“Duhet me mbajtë shpresë që ka me ju ndihmu dikush ndonjë ditë, e s’kanë me kanë ma të varfër, e kanë me pas një shtëpi”, tha ajo, duke dhënë mesazh për moshatarët e saj që jetojnë në kushtet e vështira.

“Ish kanë mirë edhe shoqet e mia me mbledh pak pare e me e ndihmu edhe ata ndonjë familje, se është mirë me bo qeshtu”, përfundoi Loriana.