×
  • Lajme
  • Lajme

    A do ta përkrahë Limaj dialogun me Serbinë të udhëhequr nga Qeveria e re?

    Reporteri
    01 Dhjetor 2019 | 17:08

    Albin Kurti ka vendosur të mos bashkëpunojë me NISMA’n, AKR dhe as AAK’në për të ndërtuar Qeverinë.


    Por, Kryeministri në ardhje po kërkon ndihmën e opozitës në dialogun me Serbinë. Partia e Fatmir Limajt ende s’ka qëndrim nëse do të përfshihet në këtë proces.

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMAS, Haxhi Shala, ka thënë për Gazetën Express se partia e tij ende nuk e ka marrë një vendim për pjesëmarrje në grupin negociator.

    “Ende nuk ka një qëndrim të Nismës rreth çështjes së dialogut, a do të jetë pjesë e bisedimeve apo jo”, ka thënë Shala për Express.

    Ai ka theksuar se në ditët në vijim, Nisma mund të ketë një qëndrim rreth përfshirjes apo jo në procesin e dialogut.

    “Në ditët në vijim edhe ne do të kemi qëndrimin tonë se si do të sillemi ndaj këtij procesi”, ka theksuar Shala.

    Kurti qysh në kohën e fushatës zgjedhore kishte deklaruar se nëse do të jetë kryeministër i vendit, do ta marrë në dorë udhëheqjen e dialogut.

    Tani, ai po thotë se do t’i ftojë të jenë pjesë e delegacionit edhe partitë opozitare.

    E ftesës së tij për pjesëmarrje të opozitës në grupin negociator deri më tani i është përgjigjur AAK’ja.

    Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se edhe pse do të jenë në opozitë do të përkrahin qeverinë e re në çdo temë të interesit nacional.

    Bisedimet e Kosovës me Serbinë janë ngrirë tash e një vit, më saktësisht nga nëntori i vitit 2018 që nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

    Qeveria e Kosovës kishte vendosur taksën si kundërpërgjigje ndaj politikave të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.

    E vendosja e kësaj takse ishte parë nga Beogradi si pengesë edhe për zhvillimin e dialogut. Qeveria e Kosovës kishte thënë se taksa nuk paraqet pengesë për bisedimet, mirëpo kjo ishte bërë për mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.

    Tani, taksa i ka mbetur në duar Qeverisë së re. Albin Kurti e ka përmendur si mundësi zëvendësimin e taksës me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!