×
  • Lajme
  • Lajme

    A do të kenë ndikim lajmet e rreme në zgjedhjet e 6 tetorit dhe kush fshihet pas tyre?

    Reporteri
    05 Tetor 2019 | 18:02

    Sot është heshtje zgjedhje në Republikën e Kosovës, ndërsa nesër votohet për zgjedhjet parlamentare të parakoheshme.


    Ani pse fushata zyrtarisht kishte filluar më 25 shtator, partitë politike kanë mbajtur takime dhe kanë bërë fushatë në rrjete sociale që kur kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje.

    Gjatë kësaj kohe, në rrjetin social facebook janë aktivizuar edhe disa faqe të cilat po bëjnë shpërndarjen e lajmeve të rreme.

    Sipas Dren Gërgurit, profesor i Gazetarisë në Univeristetin e Prishtinës, motivet e shpërndarjes së lajmeve të rreme mund të jenë të ndryshme, por kryesisht dominojnë motivet financiare dhe ato politike.

    “Ata që shpërndajnë lajme të rreme mund të kenë objektiv përfitimin financiar, në radhë të parë, ndërkohë që, qëllimet e tyre mund të përputhen me ato të grupeve të tjera individësh që synojnë të shpërndajnë dezinformata për qëllime politike”, thotë Gërguri për Ballkani.info.

    Në anën tjetër, sipas Valon Kerollit, ekspertit të rrjeteve sociale, për dallim nga vendet e ndryshme të botës, në të cilat faqet të cilat plasojnë lajme të rreme hapen në kohë fushate, në Kosovë këto faqe janë të krijuara më herët, por aktivizohen vetëm në kohën e zgjedhjeve.

    “Çka ndoshta e dallon Kosovën prej vendeve të tjera, është se të gjitha këto faqe që po përdoren për “Fake News” janë faqe qe ekzistojnë prej disa kohësh si faqe, por gjatë kësaj periudhe ose ju ka ndërruar emri ose përmbajtja, pra nga një faqe normale është shndërruar në faqe për shpërndarje të lajmeve të rrejshme”, sqaroi Kerolli për Ballkani.info.

    I pyetur se sa ka mundësi që lajmet e rreme të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve, profesori Gërguri thotë se mbulueshmëria me internetit e pothuajse gjithë territorit të Kosovës, është elementi i parë që ndihmon në ndikimin e tyre.

    “Interneti është jashtëzakonisht shumë i përhapur në shtëpitë tona. 93 për qind e familjeve të Kosovës kanë qasje në internet në vendbanimet e tyre, më shumë sesa mesatarja e BE-së. Këto të dhëna statistikore flasin për mundësinë e ndikimit edhe më të madh të lajmeve të rreme, sepse elementi i parë, që nënkupton qasjen e gjerë në internet, është shumë i përhapur ndër ne. Dezinformatat e shpërndara pritet të ndikojnë sepse po t’i lexosh komentet e qytetarëve, e vëren se shumë prej tyre u besojnë atyre dezinformatave, rrjedhimisht, ndikohen nga to. Prandaj, mendoj se ndikimi i dezinformatave/lajmeve të rreme do të jetë evident”, thekson profesori i gazetarisë.

    Madje, Gërguri thotë se ndikim i lajmeve të rreme mund të jetë edhe përcaktues për faktin se, siç thotë ai, pritshmëritë janë që partia e parë me partinë e dytë të kenë diferencë të vogël të votave, prandaj çdo ndikim nga manipulimet vlerëson se do të ketë peshë të madhe në rezultatin përfundimtar.
    Edhe më të madh ndikimin e tyre në zgjedhje, eksperti i rrjeteve sociale, Valon Kerolli, e sheh faktin se këto faqe janë të sponsorizuara.

    “E shoh si tepër të rrezikshme fenomenin e lajmeve të rrejshme, edhe për faktin se faqet e rrejshme të cilat po përdoren në Kosovë janë duke sponsorizuar aq shumë sa që në kohën që po flasim tani, një prej këtyre faqeve ka mbi 24 lajme të rrejshme të sponsorizuara”, paralajmëroi Kerolli.
    Faqet kryesore në rrjetin social Facebook, të cilat po shpërndajnë lajme të rreme po adiministrohen nga shqiptarët dhe maqedonët.

    Një ndër faqet më aktive që ka bërë shpërndarjen e lajmeve të rreme ka qenë faqja “Horizonti

    Kjo faqe është hapur në vitin 2016 dhe deri tani ka ndryshuar katër herë emrin dhe ka gjithsej tetë administratorë, shtatë nga Kosova dhe një nga Maqedonia e Veriut. Kjo faqe për momentin ka 23 lajme të sponsorizuar.

    Në këtë grafikë shihet se kjo faqe ka rifilluar aktivitetin e saj më 15 shtator, pasi deri në këtë kohë kishte qenë pasive.
    Nga 15 shtatori deri sot kjo faqe ka postuar 22 fotografi, 7 artikuj te lajmeve edhe 8 video me mbi 300 mijë shikime.

    Një faqe tjetër e cila po shpërndan lajme të rreme në facebook është faqja “Ngjarje Ditore”.

    Kjo faqe është hapur më 16 janar 2018 dhe ka nëntë adminitratorë, shtatë nga Kosova dhe dy nga Maqedonia e Veriut. Për momentin kjo faqe ka 27 lajme të sponzorizuara.

    Ballkani.info ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të mësuar nëse ndonjë parti politike ka inicuar padi ndaj ndonjë medium ose parti tjtër politike për shkak të lajmeve të rreme, dhe nga kjo prokurori thanë se për deklarim të rrejshëm është duke u hetuar Lista Serbe.

    “Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se, Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke e hetuar rastin për deklarim të rrejshëm ndaj subjektit politik ‘Lista Serbe’”, tha për Ballkani.info, Laureta Ulaj, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen të dielën. Mbrëmë subjektet politike që kanë vendosur të garojnë në këto zgjedhje, e kanë përmbyllur fushatën zgjedhore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!