×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi

    A do të kryejë punë takimi Kurti-QUINT, nesër përpjekja e 15’të për konstitutimin e Kuvendit

    Reporteri
    12 Maj 2025 | 22:38

    Diplomatët e vendeve të QUINT’it i kanë shkuar sot në zyre Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Një ditë para vazhdimit të seancës konstitutive, ata kanë theksuar rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve. Më e prerë ishte diplomatja amerikane, e cila theksoi nevojën që liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Të enjten, Presidentja Vjosa Osmani do të fillojë konsultat me liderët e partive. PDK, LDK dhe AAK kanë konfirmuar pjesëmarrjen, teksa VV ende s’është përgjigjur, shkruan Reporteri.net.

    Një tjetër përpjekje për konstituim do të bëhet nesër. Deputetët do të mblidhen në sallë në orën 10:00, në një tjetër tentativë për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit.

    Seancat e fundit janë ndërprerë në mungesë të votave për të formuar Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara e VV’së vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu, ndonëse tashmë që disa herë është vërtetuar se nuk i ka votat. Nga 61 sa i nevojiten, më së shumti që ka marrë janë 57.

    PDK dhe AAK vazhdojnë t’i kërkojnë VV’së që ta ndryshojë kandidaten, duke e cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse. LDK ka thënë se s’do të votojë asnjë kandidat të kësaj partie.

    Nevoja për krijim sa më të shpejtë të institucioneve është theksuar në takimin e sotëm që ka pasur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me ambasadorët e QUINT’it, pavarësisht se në njoftimin e ZKM-së u tha se temë qendrore e takimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    E ngarkuara me Punë në Ambasadën e ShBA’së, Anu Prattipati ka theksuar nevojën që liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën.

    “E ngarkuara me punë Anu Prattipati dhe Ambasadorët e Quint-it u takuan sot me Kryeministrin në detyrë Kurti. Gjatë takimit, ajo theksoi nevojën që liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Këto institucione janë thelbësore për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

    Shefi i zyrës së BE-së, Aivo Orav, ka thënë se një qeveri e qëndrueshme dhe funksionale është thelbësore për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, teksa ka shtuar se “status quo” aktuale s’i sjell dobi askujt/

    “Sot, Ambasadorët e QUINT-it u takuan me Kryeministrin në largim Kurti. Një qeveri e qëndrueshme dhe funksionale është thelbësore për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar Orav.

    Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves, përmes një deklarate në Facebook, tha se e ka inkurajuar Kurtin për formimin e qeverisë së re.

    Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë njoftoi se në takim është theksuar nevoja për formimin sa më të shpejt të një qeverie të re, që Kosova të ecë përpara në rrugën euroatlanatike.

    Reporteri.net nga vendi i ngjarjes solli pamje teksa ambasadorët e QUNIT-it po dilnin nga takimi. Ata u panë tek bisedonin me njeri-tjetrin, për disa minuta, në oborrin e Qeverisë së Kosovës, për tu larguar më pas.

    Dështimet e njëpasnjëshme për konstituim, e kanë nxitur Presidenten Vjosa Osmani që ta marrë këtë çështje në dorë, e t’i mbledh liderët e partive në kërkim të një zgjidhje.

    Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka konfirmuar se nga 15 maji, Osmani do të fillojë konsultimet.

    “Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, ka deklaruar Kupina.

    Për këtë ftesë, Osmani i ka deri tash tri “Po”.

    Zëdhënësi i PDK’së, Faton Abdullahu, ka konfirmuar për Reporteri.net se kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Osmani.

    Krasniqi javën e kaluar i kishte bërë thirrje Osmanit për thirrjen e një takimi të tillë.

    “Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja. Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë.”, ka thënë Avdullahu.

    Edhe nga LDK kanë konfirmuar pjesëmarrjen e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, në takim.

    “Po e kemi pranuar ftesën dhe kryetari Abdixhiku do të merr pjesë në takim”, ka deklaruar për Reporteri.net, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.

    Në këtë takim do të shkojë edhe Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj.

    “Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, ka deklaruar zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli për Reporteri.net.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje ende s’kanë dalë me ndonjë përgjigje.

    Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur zëdhënësin e kësaj partie, Arlind Manxhukën, nëse do të marrin pjesë në takim, por deri në momentin e publikimit të tekstit, ende s’ka ndonjë përgjigje.

    E pas këtij takimi, ndaras nga shefat e partive shqiptare, e para e vendit i ka thirrur në takim të përbashkët edhe përfaqësuesit e partive minoritare./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!