×
  • Lajme
  • Lajme

    A do të nënshkruhet të hënën në Bruksel marrëveshja mbi propozimin e BE-së, përgjigjet Vuçiq

    Reporteri
    23 Shkurt 2023 | 10:16

    “Të gjithë e dinë se thelbi është Asociacioni i komunave me shumicë serbe – ose do ta zgjidhni problemin e Asociacionit ose vetëm mund të ju them faleminderit, kaq”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq, vetëm disa ditë para takimit të nivelit të lartë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    I pyetur  nëse duhet zyrtarizuar me shkrim pranimi i propozimit të Bashkimit Evropian, Vuçiq thotë Serbia mbetet në vijat e kuqe rreth çështjes së Kosovës.

    Ai thotë se Serbia do t’i përmbahet asaj për të cilën foli në seancën e këtij muaji të Kuvendit të Serbisë për Kosovën  “pa marrë parasysh çfarë dhe sido që të jetë”.

    Në anën tjetër, kryeministri Kurti këtë javë duke folur për çështjen e Asociacionit,  tha shpreson që diskutimet të jenë të fokusuara tek nisa franko-gjermane, dhe jo tek “interesat e njërës palë”.

    “Në kemi propozimin me iniciativën franko gjermane. Ne presim që të ketë diskutime dhe të ecim përpara në bazën e atij diskutimi. Jo pak varet nga fascilituesit apo ndërmjetësuesit pas ditës së hënë e dimë”- ka thënë Kurti.

    Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur agjendën e takimit në Bruksel.

    Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin. Këto takime do të fillojnë në orën 15:00.

    Ndërsa, pas kësaj do të ketë një takim të përbashkët.

    “Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.

    Në fund të takimit bëhet e ditur se do të ketë deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

    Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar edhe Kurti edhe Vuçiq.

    Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian, si rrugë për normalizim të marrëdhënieve. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!