×
  • Lajme
  • Lajme

    A ka ndërruar mendje PDK për votimin e Presidentit? – Flet deputetja e kësaj partie

    Reporteri
    04 Prill 2021 | 11:06

    Partia Demokratike e Kosovës duket se nuk e ka ndërmend të ndërrojë qëndrim sa i përket votimit të Presidentit. Kjo parti nuk do të marrë pjesë as në seancën që do të mbahet sonte, pas dështimit të asaj të së shtunës.


    Se nuk kanë ndërruar mendje e ka konfirmuar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

    E pyetur nëse PDK’së i është kërkuar nga ambasadorët e huaj në Kosovë për të marrë pjesë në seancën e votimit të Presidentit, Deliu-Kodra ka deklaruar se kjo nuk ka ndodhur.

    “Jo, jo. Kurrfarë takimi të ri nuk ka pasur, kurrfarë ndryshimi të qëndrimit nuk ka. Mbetet vendimi i Këshillit Drejtues, atë që e kemi qartësuar prej fillimi”, ka deklaruar Deliu-Kodra për Express.

    Ndërkaq ajo nuk ka informata nëse dikush nga partia e ka kontaktuar deputetin Xhavit Haliti, pas deklaratave se nuk e ka ditur se ka seancë të shtunën dhe se nuk ndodhet në Kosovë, por po të ishte këtu, do të merrte pjesë.

    “Jo për besë, nuk kam informatë nëse ka kontaktuar dikush”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

    Ndryshe, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj dhe deputeti Bedri Hamza, të shtunën kanë qëndruar për pak minuta në seancën ku do të votohej Presidenti.

    Hoxhaj tha se me zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit, kryeministri Albin Kurti po dëshiron kontroll absolut të tri institucioneve të shtetit: kuvendit, qeverisë dhe presidencës.

    “Vjosa Osmani nuk po zgjidhet si presidente, por atë po e emëron zoti Kurti, po e dërgon në presidencë që të ketë një kontroll absolut”, tha Hoxhaj.

    Hoxhaj përsëriti qëndrimin se PDK-ja nuk e mbështet Osmanin për presidente.

    “Një gjë duhet ta dinë qytetarët e Kosovës që nuk ka pasur asnjë interesim as për një konsensus politik, as shoqëror, as partiak, por më shumë ka pasur një logjikë të nënshtrimit dhe jo të një kompromisit politik se si të zgjedhet presidenti në vend, kësaj qasje ne si PDK i themi jo”, shtoi ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!