×
  • Lajme
  • Lajme

    “A mos t’provokoj tu e recitu alfabetin” – Protesta kundër dhunës seksuale në shkolla

    Reporteri
    19 Maj 2021 | 16:33

    Nxënësit e shkollave fillore e të mesme të Prishtinës kishin dy kërkesa ndaj institucioneve të vendit. Ata duan përfshirjen e lëndës Edukata Seksuale dhe që çdo shkollë të ketë psikologë të cilët i trajtojnë ata, për të parandaluar kështu rastet e sulmeve seksuale.


    Një nxënëse e klasës së 12-të e gjimnazit “Xhevdet Doda”, ka deklaruar se shkaktari më i madh i ngacmimeve seksuale është se djemtë nuk janë të edukuar nga familjet e tyre për t’i respektuar vajzat.

    Kemi dalë për edukatën në familje, qysh prindërit nuk e marrin parasysh që duhet t’i edukojnë djemtë. Tu e ditë që shkaku më i madh i ngacmimeve është se ata nuk e kanë një edukatë prej kur kanë qenë të vegjël. Disa mendojnë që është në rregull, disa e dinë që është keq por nuk i ka mësuar askush që të ndalen”, ka deklaruar ajo.

    Ajo në duar po mbante një parullë me moton “A mos po të provokoj tu e recitu alfabetin”, përmes së cilës do të përçojë mesazhin te të gjithë ata që i arsyetojnë ngacmimet seksuale duke thënë se vajzat provokojnë me dukjen e tyre.

    “Edhe hameri që e kam bë unë që thotë “A mos po të provokoj tu e recitu alfabetin” shkon për krejt ata që thonë se ajo e ka meritu, ose e ka provoku me veshje, e rasti që ka ndodhur, vajza ka qenë e vogël, e veshur dhe s’ka pasur asnjë arsye ta provokojë atë djalin. E kam bërë me ironi”, ka deklaruar ajo.

    Ajo tha se në shkollën e saj nuk është diskutuar shumë për rastin e fundit të sulmit seksual që ka ndodhur në Prishtinë.

    “Disa mësimdhënës kanë qenë kundër kësaj që ka ndodh, disa të tjerë nuk kanë dashur të flasin për këtë temë, nuk është që është diskutu shumë në shkollë”, ka deklaruar nxënësja e klasës së 12-të.

    Sipas saj, përfshirja e Edukatës Seksuale si lëndë mësimore në shkolla është shumë e nevojshme.

    “Duhet të ketë psikologë dhe njerëz që na tregojnë çka është mirë e çka jo, nëse dikush nuk mundet me të eduku, prandaj Edukata Seksuale është shumë e nevojshme nëpër shkolla”, ka deklaruar ajo.

    Se Edukata Seksuale duhet të jetë lëndë mësimore mendon edhe jë nxënës i një shkolle tjetër në Prishtinë, i cili mbante në duar pankartën me moton “Edukatë Seksuale në shkolla”.

    Ai tha për Express se përfshirja e kësaj lënde në shkolla është e nevojshme pasi gjeneratat e reja nuk janë të edukuara në këtë aspekt.

    “Është shumë e rëndësishme, pasi gjeneratat e reja nuk janë fare të edukuara në këto tema. Edukata Seksuale duhet të jetë lëndë mësimore nëpër shkolla”, deklaroi ai.

    18-vjeçari i cili është në vitin e fundit të shkollës së mesme deklaroi se në familjen e tij nuk është tabu tema e edukimit seksual.

    “Në familjen time folën shumë shlirë këto tema. Qysh prej kur kam qenë i vogël më kanë edukuar se nuk bën ta nguci dikë e as ta bëj të ndihet keq”, ka deklaruar ai.

    Pas sheshit “Zahir Pajaziti”, nxënësit marshuan drejt sheshit “Skenderbeu”.

    E këtu u pa edhe ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila iu bashkua nxënësve gjatë marshimit në sheshet e kryeqytetit.

    Në mbështetje të nxënësve protestues ishte edhe aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci.

    Tutje, qindra nxënës qëndruan te “Teatri Kombëtar”, ku përfaqësuesit e tyre folën rreth rëndësisë së edukimit seksual te fëmijët.

    Ata kërkuan që çdo shkollë të ketë psikologë.

    “Jam shumë i sigurt se foli në emrin e secilit prej juve, kur them se kur e kemi pa videon, të gjithë prej neve jemi irritu, edhe të gjithëve prej neve na ka ra ndonjëherë gjatë jetës tonë me e pa një rast, ose shokë ose shoqe, ose familje apo të ngjashme me të njëjtin send. Prandaj kjo protestë sot është e domosdoshme. Me këtë protestë sot në emër të nxënësve duam t’i shtrojmë dy kërkesa kryesore ndaj institucioneve përkatëse. Kërkesa e parë është për futjen e Edukimit Seksual në kurrikulën e shkollave. Kjo lëndë është e nevojshme, por është e injoruar nga sistemi arsimor deri më tani. Kërkesa jonë e dytë është për psikologët nëpër shkolla. shumica e shkollave kanë psikologë, por edhe pse ka, realisht ata nuk janë, sepse psikologu nuk është kurrë aty. Nevoja jonë për psikologë është shumë e madhe, dhe sa herë që një nxënësi i është nevojitur një psikolog, ata asnjëherë nuk janë gjendur në shkolla”, ka deklaruar Ene Aliu, nga shkolla “Sami Frashëri”

    Ndryshe, protesta e sotme u mbajt pas rastit të sulmit seksual në oborrin e një shkolle në Prishtinë.

    Pas këtij rasti, drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, tha se ka qenë një “lojë fëmijësh”. Por pas kësaj deklarate, ajo ishte sqaruar se nuk e kishte parë videon kur ishte deklaruar kështu.

    Për shkak të kësaj deklarate të drejtoreshës, motoja e protestës së sotme ishte “Traumë, jo lojë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!