×
  • Lajme
  • Lajme

    A po kthehet Asociacioni në kryetemë?

    Reporteri
    08 Nëntor 2022 | 11:49
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

    “Asociacion të Komunave me shumicë serbe dhe [tërheqje të vendimit për] targat. Vetëm mëpastaj mund të vazhdojmë tutje”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në një përgjigje të tij rreth rrugëdaljes nga kriza së krijuar me daljen e serbëve nga institucionet në pjesën veriore të Kosovës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër në konferencë për media të hënën tha se sa i përket çështjes së Asociacionit “nuk ka përgjigje të re” derisa u tha gazetarëve të kujtojnë qëndrimet e kahershme të tij.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një debat në Tv Dukagjini, kishte bërë të ditur se Asoaciacion nuk do të ketë as me kompetenca ekzekutive e as pa to. “As kësi e as asi”, ishte shprehur ai.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë bërë edhe më të zëshëm në kërkesën e tyre për formimin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ata kanë kërkuar që të nisin bisedimet për modalitete të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të cilat nuk bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

    Madje zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, kishte lajmëruar se në vizitën në Departamentin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken u kishte kërkuar Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani, që të nisin negociatat për formimin e Asociacionit. Për këtë gjë, Escobar ishte shprehur se “u pajtuan”.

    Lista Serbe, me të dalë nga institucionet e Kosovës në pjesën veriore ka thënë se pa u formuar Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe pa u tërhequr vendimi për targat serbe, nuk do të kthehen në institucione.

    Çfarë parasheh ky Asociacion?

    Marrëveshja ishte nënshkruar në vitin 2013 nga ish-kryeministri kosovar, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri serb, Ivica Daçiç.

    Gjashtë pikat e Marrëveshjes së vitit 2013 shkruajnë kështu:

    • Do të ketë Asociacion/Bashkësi të komunave ku serbët janë mazhorancë e popullatës në Kosovës. Anëtarësimi do të jetë i hapur për të gjitha komunat tjera në rast se anëtarët janë të pajtimit për këtë.
    • Asociacioni/Bashkësia do të themelohet mbi bazën e Statutit. Mund të shpërbëhet vetëm me vendimin e komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen nga ligjet e aplikueshme dhe ligjeve kushtetuese (përfshirë 2/3 e mazhorancës).
    • Struktura e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohet mbi bazën e njëjtë të Statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, e.g kryetar, nënkrytear, kuvend, këshill.
    • Në pajtim me kompetencat e caktuara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjet e Kosovës, komunat pjesëmarrëse kanë të drejtën për të bashkëpunuar në zbatimin kolektiv të pushteteve përmes Asociacionit/Bashkësisë. Asociacioni/Bashkësia do të ketë mbikëqyrje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe zhvillimit rural.
    • Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë pushtete shtesë që mund t’i delegohen nga autoritetet qendrore.
    • Asociacioni/Bashkësia do të ketë rol përfaqësues drejt autoriteteve qëndrore dhe për këtë qëllim do të përfaqësohet në këshillin konsultativ të bashkësisë. Në mënyrë që kjo të zbatohet, do t’i caktohet një funksion monitorues.

    “Sa i përket Asociacionit, Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 siguronte përfshirjen e 4 komunave në veri të Kosovës, dhe më pastaj ajo e vitit 2015 zgjerohej në 10 komuna me shumicë serbe. Mbrëmë, presidenti serb Vuçiç tha se Lista Serbe ka draftuar dhe dorëzuar një propozim për Statutin e Asociacionit. Nuk dihet se kujt ia kanë dorëzuar, por supozoj se përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçakut”, tha analisti serb, Dushan Janjiç për gazetën serbe Nova.rs.

    “Në fakt, marrëveshja parasheh që në krye të statutit të jetë një ekip, i cili do të përbëhet nga katër kryetarë komunash nga veriu dhe një përfaqësues i BE-së. Pastaj ai ekip duhet të përgatisë një propozim për statutin, ta dorëzojë në BE-ja, pastaj prisni opinionin e Prishtinës, nëse Prishtina pajtohet me propozimin, ai nënshkruhet”, thotë Janjiç.

    Procedura e mëtutjeshme nuk është më e qarta, por siç thotë Janjiq, Kuvendi i Kosovës duhet ta fusë automatikisht në sistemin juridik.

    “Me ndonjë ligj apo në ndonjë mënyrë tjetër, nuk e di, por do të duhej të dilte para kuvendit”, përfundon Janjiç.

    Struktura dhe kompetencat e krijuara në vitin 2015

    Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni duhet të përbëhet nga: Kuvendi, kryetari, nënkryetari, këshilli, bordi, administrata dhe komisioni i ankesave.

    Në pjesën që përcakton marrëdhëniet ndërmjet Asociacionit dhe autoriteteve qendrore të Kosovës, thuhet se Asociacioni punon me autoritetet qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të informacionit, me qëllim të promovimit të interesave të komunitetit serb në raport me autoritetet qendrore.

    Parashihet se ka të drejtë të propozojë, në pajtim me ligjet e Kosovës, ndryshime të ligjeve dhe rregulloreve tjera që janë të rëndësishme për arritjen e qëllimeve të saj, që të ketë të drejtë të inicojë ose të marrë pjesë në procedurë para gjykatave kompetente. përfshirë Gjykatën Kushtetuese, kundër të gjitha akteve apo vendimeve të çdo institucioni që cenojnë ushtrimin e juridiksionit të Asociacionit.

    Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni ka të drejtë të propozojë përfaqësues në autoritetet/organet kompetente të autoriteteve qendrore, përfshirë në Këshillin Këshillëdhënës të Komuniteteve.

    Për të kryer mbikëqyrjen e parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit, përfaqësuesit e Asociacionit kanë të drejtë të kenë qasje dhe të marrin informacione nga autoritetet qendrore në përputhje me ligjet e Kosovës, si dhe parashikohet që në emër të Asociacionit, katër kryetarët e komunave veriore mund të dorëzojnë në MPB listën e kandidatëve për emërim në postin e komandantit rajonal të policisë.

    Kjo marrëveshja është gjetur në mospajtim me Kushtetutën e Kosovës në më shumë se 20 pika, dhe kjo ka qenë argumentimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për mosformimin e këtij Asociacioni.

    Analisti politik Nexhmedin Spahiu tha për Nova.rs se çështja e formimit të Asociacionit as që po shqyrtohet në Kosovë për momentin.

    “Asociacionit vlen vetëm si shkëmbim për njohjen nga Serbia. Ky opsion është i vlefshëm vetëm nëse Beogradi pranon të njohë pavarësinë e Kosovës,” tha Spahiu, duke komentuar kërkesat e serbëve nga Kosova, të cilët u larguan nga institucionet./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!