×
  • Lajme
  • Lajme / DPT te Fidani

    A synon Vuçiqi t’ia mësyjë Kosovës me ushtri, Muja: Atij i është shtu apetiti, duhet të kontrollohet

    Reporteri
    27 Shtator 2023 | 23:38

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, nuk e ka përjashtuar mundësinë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të tentojë që të hyjë me ushtri në Kosovë.

    Ai në emisionin DPT te Fidani, në ATV, ka thënë se ndërkombëtarët duhet ta kontrollojnë situatën, e të mos luajnë me ambiciet e Vuçiqit, shkruan Reporteri.net.

    “Politika e paqësimit të Vuçiqit zyrtarisht ka dështu të dielën, me atë veprim. Jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, kjo beteja që e ka fitu Kosova ka me pasë jehonë gjithë rajonale. Edhe forcat ndërkombëtare mjerisht që e patën përqafu idenë e tij, mendoj se do të jenë më të heshtura. Kosova duhet ta kapitalizojë këtë situatë”.

    Muja bën krahasimin: Vuçiqi, Vulini dhe Radojiçiqi versioni modern i Millosheviqit, Sheshelit, e Arkanit

    Muja tha se komuniteti ndërkombëtar s’duhet ta bëjë të njëjtin gabim me liderin serb siç e ka bërë me atë rus.

    “Duke vështru situata të ngjashme, si në Ukrainë, edhe aty politikanët ndërkombëtarë me disa mekanizma koti e kanë paqësu ose kanë tentu që ‘duke i dhonë më shumë më tepër hapësirë Putinit ai ndalet’, por nuk ka qenë ashtu, ai veç i ka shtu apetitet. E njëjta ndodh edhe me Vuçiqin sepse janë sisteme të njëjta, forca të njëjta që i trazojnë këta njerëz”.

    Nëse nuk kontrollohet nga ndërkombëtarët, Muja tha se Vuçiqi edhe mund të eskalojë.

    “Në rast se lëshon pe te këta, mos mendoni që është ndalesa aty, këta veç do shkojnë në hapin e dytë”.

    “Prandaj është e rëndësishme që sa më shumë liderë rajonalë dhe ndërkombëtarë, ta kuptojnë që mbështetja për idetë e Vuçiqit shpie në dështim dhe gjakderdhje”.

    “Lajkat me Vuçiqin humbin jetë njerëzish”, ka theksuar deputeti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!