×
  • Lajme
  • Lajme

    A2CNN: Liderët e vendeve të BE’së nesër në Tiranë miratojnë deklaratën që kërkon progres në Dialogun Kosovë-Serbi

    Reporteri
    05 Dhjetor 2022 | 19:40

    A2 CNN raporton se ka lexuar deklaratën e përbashkët me të cilët liderët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të dalin në përfundim të Samitit që do të zhvillohet të martën në Tiranë.

    Në deklaratën e përbashkët theksohet rëndësia e partneritetit strategjik mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së, përballë agresionit rus në Ukrainë, që po vendos në rrezik paqen dhe sigurinë globale. BE gjithashtu konfirmon përkushtimin e saj të plotë për perspektivën integruese të Ballkanit Perëndimor, bazuar në reforma të besueshme dhe parimet e meritës.

    BE mirëpret përkushtimin e vendeve partnere në Ballkanin Perëndimor për të mbrojtur vlerat dhe parimet europiane, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

    Qëndrimi bashkë me BE-në është shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, teksa Rusia përshkallëzon luftën dhe agresionin e saj në Ukrainë. Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin përgjegjësi të përbashkëta.

    “Teksa thellojmë bashkëpunimin me partnerët, u bëjmë thirrje që të bëjnë përparime të shpejta dhe të qëndrueshme drejt rreshtimit të plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë me BE-në. Vlerësojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar tashmë përkushtimin strategjik dhe i inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë, që të ndjekin të njëjtin shembull”.

    Në deklaratë theksohet edhe një herë se BE është partneri më i afërt i rajonit, investitori kryesor si dhe partneri tregtar e donatori më i madh.

    Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në dokument theksohet mbështetja e plotë për procesin dhe i bëhet thirrje që të ecet përpara, pasi është një pikë kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!