×
  • Lajme
  • Lajme

    AAK mblidhet nesër, vendosin për kazinotë

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 17:56

    Autor: Blendi Gashi 


    Grupi Parlamentar i AAK-së, do të mblidhet nesër nga ora 10:00, një orë para mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme ku do të diskutohet për pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit në Kosovë, me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së. Nënshkrimet për thirrjen e kësaj seance i kanë dhënë edhe deputet e PDK-së, VV-së, e PSD-së. Por, jo ata të AAK e NISMA-s. 


    Deputetët e LDK-së, PDK-së, VV-së dhe PSD-së kanë mbledhur nënshkrimet për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar ndalimin e kazinove dhe lojërave të fatit në Kosovë.

    Në mbledhjen e nënshkrimeve për seancën në fjalë mungojnë nënshkrimet e deputetëve të AAK-së dhe Nismës, ndërsa kanë dhënë nënshkrimet deputetët e partive tjera, PDK-së, LDK-së, VV-së, PSD-së e AKR-së.

    Reporteri.net ka kontaktuar me deputetë të AAK-së për të marrë një qëndrim pse nuk kanë nënshkruar për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për çështjen e kazinove.

    Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu thotë se asaj nuk i është ofruar nga askush që të nënshkruaj për mbajtjen e kësaj seance pasi do ta bënte një gjë të tillë.

    “Personalisht nuk më është ofruar ta jap nënshkrimin. Nuk e kam pasur rastin, kam kërkuar me nënshkruar. Debati për një çështje të ndjeshme si për rastet e fundit ku humbën jetën dy persona në kazino është i mirëpritur. Duhet kujtuar se janë kryetarët e komunave që vijnë nga AAK që të parët kanë kërkuar mbylljen e kazinove, konkretisht kryetari Bali Muharremaj pas rastit që ka ndodhur në Suharekë”, ka thënë Haxhiu për Reporteri.net.

    E pyetur se cila do jetë vota e saj, pasi partitë nënshkruese në fund do kërkojnë që me Rezolutë të bëhet mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit, deputetja Haxhiu ka konfirmuar votën e saj pro.

    “Apsolut vota ime është pro, për me i mbyllë. Është në interes të parandalohet, e sidomos kur është në pyetje jeta e dy të rinjëve. Por konsideroj sado që është e mire mbajtja e kësaj seance, në anën tjetër po frikësohem se po bëhet edhe një garë se kush po i merr meritat”, ka deklaruar më tej deputetja Haxhiu.

    Kurse deputetja tjetër e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se nuk është e njoftuar për mbajtjen e kësaj seance.

    “Qëndrimet e mia do t’i japë nesër në seancë”, ka deklaruar shkurt për Reporteri.net deputetja Kadaj-Bujupi.

    Edhe pse AAK nuk ka dhënë nënshkrimet për mbajtjen e kësaj seance, zyrtari i kësaj partie, Bali Muharremaj që është kryetar i Suharekës ka qenë i pari që ka urdhëruar mbylljen e kazinove në këtë komunë.

    “Në emër të qytetarëve te Komunës së Suharekës, kërkoj nga institucionet përkatëse që të marrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, për mbylljen e kazinove në Komunën e Suharekës”, ka shkruar Muharremaj në Facebook, pasi u vra një person në kazino në këtë qytet.

    Ndryshe, Reporteri.net ka raportuar se deputetët në fund të debatit do të kërkojnë që Kuvendi të miratojë rezolutë lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues.

    Kujtojmë se seanca për çështjen e kazinove do mbahet nesër duke filluar nga ora 11:00. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!