Pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit për ta caktuar për nesër në ora 11:00, seancën për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ka reaguar zëvendëskryeministri Haki Abazi.
Ai edhe një herë është marrë me presidentin Thaçi dhe kreun e LDK-së, duke i fajësuar ata për gjendjen. Bile ka thënë se janë anti-amerikanë. E për kolegun e tij në Qeveri, Avdullah Hotin ka paralajmëruar se flasin më vonë, pasi të kalojë COVID 19.
“Thaçi dhe Mustafa po dalin të jenë antishtet, antikushtetutes, antikombëtar, antiamerikan dhe antievropian. Për Hotin flasim një ditë tjetër, kur kalon COVID-19”, ka shkruar ai në Facebook.
Të mërkurën, deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të vendosin me votë për fatin e Qeverisë Kurti.
Kjo pasi, Kryesia e Kuvendit ka vendosur me shumicë votash, që seanca për votimin e mocionit të mos besimit të mbahet nesër në ora 11:00, ka marrë vesh Reporteri.net.
Reporteri.net merr vesh se kryetarja Vjosa Osmani dhe nënkryetarja nga VV-ja, Arbërie Nagavci ishin kundër mbajtjes së kësaj seance.
Në fakt Osmani edhe kishte kërkuar një rekomandim nga Instituti i Shëndetit Publik nëse mund të mbahet seancë në këto rrethana. Instituti ktheu sot përgjigje duke thënë se nuk i takon të përzihet në punët e Kuvendit dhe se do të ndihmojë në krijimin e kushteve të sigurisë shëndetësore për deputetët.
Pro seancës ishin Kujtim Shala, Memli Krasniqi, Fikrim Damka dhe Slavko Simic.
Se Vjosa ka qenë kundër kërkesës së LDK-së e ka konfirmuar edhe shefi i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, pas mbledhjes se kryesisë.
Seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit, përkundër se për shkak të gjendjes së krijuar pas shfaqjes së Coronavirusit në Kosovës ishte aluduar se mund të mos ketë kushte për mbajtjen e saj në këtë sallë.
Njoftimin për caktimin e seancës pritet ta bëjë publik Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, në një konferencë të paralajmëruar të mbahet pas orës 17:00.
Mocioni për rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit, pas më pak se 50 ditë në pushtet, është iniciuar të premten e shkuar, nga partneri i koalicionit LDK-ja.