×
  • Lajme
  • Lajme

    Abazoviç i ashpër ndaj Gjukanoviçit, e quan “kokë të krimit”

    Reporteri
    21 Shtator 2022 | 11:29
    Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe Kryeministri në mandatin teknik, Dritan Abazoviç

    Fajin për rrëzimin e qeverisë së tij të pakicës, Kryeministri në mandatin teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ia la presidentin malazez, Millo Gjukanoviç, anipse ishte partia e këtij të fundit që ia mundësoi qeverisjen, pa votat e të cilit nuk do të mund të ishte bërë kryeministër, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Në një intervistë për Washington Examiner, Abazoviç e quajti Gjukanoviçin “kokë të krimit”, dhe i cili, sipas tij, ka fuqizuar ndarjet etnike “për të mbuluar të bërat e tij korruptive”.

    “Presidenti i Malit të Zi ka mbrojtur rrjetet kriminale pasi qeveria ime bëri një numër arrestimesh”, u shpreh Abazoviç për mediumin amerikan, dhe shtoi se “Gjukanoviç është në krye të kësaj”.

    Abazoviç vazhdoi me tezën e tij se prapa nacionalizmin qëndron korrupsioni. Sipas tij, nevojitet ndihmë amerikane në luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, “gjë e cila do të ulte temperaturat përçarëse në mesin e shteteve të ndara të Ballkanit Perëndimor”.

    Ndonëse Abazoviç është kritikuar pikërisht nga Bashkimi Evropian për mosveprim në çështjet integrative evropiane të vendit, ky i fundit shprehet ndryshe. Sipas tij, kjo është ajo çfarë ka bërë qeveria e tij.

    Kujtojmë se Partia Demokratike e Socialistëve e votoi Abazoviçin për kryeministër ndonëse ky i fundit i kishte vetëm 16 deputetë në koalicionin e tij, ndërsa Lëvizja e tij URA, kishte vetëm 4 deputetë.

    DPS e Gjukanoviçit ia dha shumicën e nevojshme parlamentare, që minimalja është 41 nga 81 deputetë sa ka gjithsejt Kuvend i Malit të Zi.

    Kjo parti votimin e mosbesimit ndaj Abazoviç e argumentoi se ky i fundit hoqi dorë nga rruga evropiane e vendit si dhe kalimin e marrëveshjes kontraverze të ashtuquajtur Marrëveshja Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe.

    Mazhoranca e vjetër/re parlamentare pro-serbe e Frontit Demokratik u riformatua për të krijuar qeverinë e re të Malit të Zi, në të cilin kongllomerat është bashkaur edhe URA e Abazoviç.

    Mandatar për qeverinë e re është caktuar politikani pro-serb, Miodrag Lekiç./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!