Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur propozimin e tij për krijimin e një qeverie të tranzicionit, si rrugëdalje nga ngërçi i krijuar.
Abdixhiku ka thënë se LDK mirëpret secilën mundësi për të dalë nga kjo situatë, përfshirë edhe takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani, por thotë se që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja. Ai ka thënë se propozimin e tyre do ta paraqesin edhe në takimin e ftuar nga Osmani, shkruan Reporteri.net.
“Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë. Zgjidhja e mundshme e propozuar nga ne mbetet si rrugëzgjidhje me shumë përfitime për vendin, sepse, më shumë se dëshirat partiake, Kosova ka nevojë për institucione funksionale. Këtë propozim do ta paraqesim dhe në takimin në fjalë”, ka shkruar Abdixhiku.
Qeveria e propozuar nga Abdixhiku do të kishte mandat deri në zgjedhjen e Presidentit.
Ai ka përsëritur se asnjëra palë se ka shumicën.
“Presin reflektim pa asnjë veprim. Do të duhej të ishte krejt e qartë, për partinë e parë, se ajo nuk e ka gjënë më të domosdoshme në demokraci: shumicën. Gjërat në demokraci bëhen me shumicë dhe jo me imponim e aq më pak me insistim në imponim. Do të duhej të ishte po ashtu shumë e qartë dhe për palët e tjera se askush sot nuk ka shumicë. Ka dëshira mjaft, secila parti ndërton qeveri për qejfet e veta – por shumicë që këtë dëshirë të tyre e kthen realitet nuk ka”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani, do të nis konsultimet për konstituim të Kuvendit nga e enjtja. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar PDK, LDK dhe AAK. VV ende s’ka përgjigje./Reporteri.net
Konsultimet për konstituim të Kuvendit, Osmani i merr tri “Po” – VV s’ka përgjigje