×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdixhiku “ndez motorët” për zgjedhjet lokale: Synojmë fitore bindëse

    Reporteri
    08 Maj 2025 | 18:19

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar fazën e parë të konsultimeve dhe përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen në vitin 2025.

    Në këtë kuadër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbledhur sot në një takim drejtuesit e degëve të partisë, për të diskutuar rreth hapave të ardhshëm në këtë proces zgjedhor, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku ka bërë të ditur se gjatë javëve në vijim, LDK do të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për anëtarë të asambleve komunale.

    “Synimi ynë është të identifikojmë njerëz me integritet, aftësi profesionale dhe përkushtim për të kontribuar me dinjitet në shërbim të qytetarëve, në çdo cep të vendit”, ka shkruar ai.

    Abdixhiku ka ftuar të gjithë ata që ndajnë vizionin politik dhe vlerat e LDK-së, si dhe kanë vullnetin për të përfaqësuar me përgjegjësi qytetarët, të bëhen pjesë aktive e këtij procesi.

    Sipas tij, LDK mbetet një shtëpi e vlerave të qëndrueshme dhe me vizion të qartë për zhvillimin e komunave.

    “Bashkë me anëtarësinë tonë të gjerë dhe çdo qytetar të angazhuar për një Kosovë më të mirë, do të marrim pjesë aktive në këtë rrugëtim. Të përgatitur dhe të bashkuar, do të synojmë përsëri një fitore bindëse dhe përfaqësim të dinjitetshëm në çdo komunë. Si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me përgjegjësi qeverisëse në nëntë komuna dhe me 206 këshilltarë lokalë, LDK hyn në këtë proces me përkushtim të plotë dhe besim të palëkundur në fuqinë e saj përfaqësuese. Na priftë e mbara!”, ka përfunduar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!