×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi politik

    Abdixhiku shpalos planin 15 pikësh të LDK-së për Qeverinë e Unitetit

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 11:43

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbrojtur idenë  për një qeveri gjithpërfshirëse, pasi siç ka thënë ai as partia që ka qenë në pushtet e as partitë e ish-opozitës nuk e kanë shumicën.

    Abdixhiku në një konferencë për media ka shpalosur planin 15 pikësh të LDK-së për një Qeveri të Unitetit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Nuk duhet ta trajtojmë qytetarin tonë si një leckë prej votash që duhet ta trajtojmë çdo katër vjet, e të mos kemi asnjë lloj përgjegjësie. Le të ulemi bashkë, le të punojmë bashkë, le të emancipohemi dhe edukojmë dhe përmes këtij procesi edhe e reformojmë skenën politike të Kosovës.

    Në një kohë të cinizmit e konfuzionet, ne zgjedhim të besojmë se përgjegjësia është ende e mundur, që shteti nuk është as pronë e partive por është trashëgimi dhe detyrim i qytetarëve, që krizën që po e kalojmë tani, nuk është fundi, por është një mundësi e shkëlqyeshme, për  të pasur një fillim të mirë”, tha Abdixhiku.

    Ky është plani 15-pikësh i LDK-së:

    1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike aty ku aferat e fundit kanë shpërthyer. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.

    2. Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit të pagave, duke rikthyer dinjitetin institucional të shërbyesve publikë.

    3. Pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike. Në fokus do të jetë miratimi i një pakoje gjithëpërfshirëse për përballimin e rritjes së faturave të energjisë elektrike dhe pas pritjeve për rritje të mëtutjedhme  dhe heqja e tvsh-s për cdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme duke gjetë rrugëdalje të përbashkët.

    4. Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e Unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin e Kosovës, por do të nis  hartimin e planit kombëtar për gazifikimin e Kosovës dhe procedurat për ndërtimin e një centrali me gaz.

    5. Rindërtimi i partneritet me BE-në dhe SHBA-në dhe rikthimin e politikës së jashtme aktive. Kthimi i besimit politik me BE-në dhe SHBA-në, përmes një qasjeje të përgjegjshme shtetërore, në funksion të heqjes së masave ndëshkuese dhe rivendosjes së marrëdhënieve strategjike me aleatët euroatlantike.

    6.Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Kuvendit te Kosovës, një pjesë e të cilave janë buzë mosfunksionalizimit të plotë.

    7. Fillimi i procesit te vettingut ne sistemin e drejtësisë
    Qeveria e Unitetit Kombëtar do të ndërmarrë hapat e parë konkretë për fillimin e procesit te vettingut; fillimisht nëpërmjet miratimit të infrastrukturës ligjore kushtetuese të nevojshme, dhe më pas me implementimin e pilot procesit të vettingut për një periudhë të shkurtë.

    8. Fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë për vendin
    Qeveria e Unitetit, do të heqë të gjitha pengesat burokratike të projekteve madhore kombëtare. Prioritet të veçantë do t’i jepet projektit të Unazës së Jashtme të Prishtinës, ndërtimit të Spitalit të Ri të Kosovës; ndërtimit të Qendrës Kombëtare të Sportit, si dhe ndarjes së buxhetit për trajtimin e deponive të mbeturinave në tërë vendin.

    9. Reforma kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional – bëjmë një reset institucional kushtetues.

    10. Fillimi i reformës në arsim Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Reformës së Thellë të Arsimit, duke filluar nga riorganizimi i rrjetit të shkollave, deri te organizimi i mësimit tërë-ditor në qytetet e Kosovës

    11. Përgatitja institucionale për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.

    12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

    13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.

    14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.

    15. Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!