×
  • Lajme
  • Lajme / 14-vjetori

    Abdixhiku: Vendimi i GJND-së, vulë përfundimtare që i mundësoi Kosovës barazim me shtetet demokratike

    Reporteri
    22 Korrik 2024 | 11:28

    Në 14 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare, liderët opozitarë e kanë cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetësisë dhe shtetndërtimit, përcjell Reporteri.net.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky vendim dhe gjykim i drejtë ishte vulë përfundimtare e drejtësisë.

    “Më 22 korrik të vitit 2010, Kosova bashkoi njerëzit më profesional në bashkëveprim me miqtë strategjik, për të dëshmuar legjitimitetin e të drejtës sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ky vendim i shumëpritur dhe gjykim i drejtë ishte vulë përfundimtare e drejtësisë, e cila i mundësoi Kosovës kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes atyre shteteve demokratike”, ka thënë Abdixhiku.

    Ndërsa më herët, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rrugë e vetme për të arritur qëllimet si shtet.

    14 vjet nga vendimi i GjND-së, Haradinaj: Partneriteti me aleatët veçmas me SHBA, jetike për synimet tona si shtet

    “Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran”, ka thënë Haradinaj.

    14 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!