Bazuar në raportet 24 orëshe të Policisë së Kosovës, dje numri i aksidenteve ka qenë 42 ku të lënduar kanë mbetur 14 persona.
Kurse, pardje, numri total i aksidenteve ka qenë 45 prej të cilave aksidente 20 kanë qenë me lëndime trupore.
Policia e Kosovës ka kërkuar nga pjesëmarrësit në komunikacion e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve që vozitjen t’ia përshtatin kushteve të rrugës, në mënyrë që të kenë vozitje më të sigurtë dhe të shmangin aksidentet rrugore.
Ndërsa zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu është shprehur se sipas informacioneve që kanë gjendja e rrugëve është e mirë.
“Sipas informacioneve tona nga terreni dhe sipas raportimeve të drejtorisë së rrugëve dhe menaxherëve regjionalë, gjendja e rrugëve është e mirë dhe e kalueshme”, tha Kadriu për lajmi.net.
Gjithashtu ai është shprehur se ekipet e mirëmbajtjes e kanë obligim që 24 orë të jenë në kujdestari.
“Gjatë orëve të mbrëmjes ka pasur reshje të mëdha dhe ka pasur erodime të vogla, mirëpo të gjitha ekipet kanë qenë në terren, sepse të gjitha ekipet e mirëmbajtjes e kanë obligim që 24 orë të bëjnë kujdestari”, tha Kadriu për lajmi.net.
Shiu dhe erërat e forta përveç bllokimit dhe pengimit të komunikacionit këto dy ditë kanë shkaktuar edhe dëme materiale nëpër shtëpi e biznese.