Pas pamjeve të publikuara në media ku kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, shihet duke e sulmuar fizikisht një punonjës komunal, ka reaguar ish-kryetari shumë vjeçar i kësaj komune, Agim Veliu.
Tash kandidati për deputet i LDK-së ka thënë se e njeh personalisht nëpunësin e sulmuar të komunës. Tutje Veliu e ka cilësuar Bulliqin si person të paedukuar duke shtuar se tashmë kryetari aktual i Podujevës ka eskaluar në dhunë fizike.
“Shpejtim Bulliqi përveç arrogancës linçimeve e shantazheve që po i bën ndaj punonjësve të institucioneve komunale, si duket ka eskaluar dhe ka fillu ta përdorë dhunën fizike. Përdorimi i dhunës është vepër penale dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare”, tha Veliu në emisionin Frontal të T7.
Veliu deklaroi se veprimi i Bulliqit është i papranueshëm.
“Z.Bulliqi është i njohur për gënjeshtra e shtrembërime, informacionet dje ishin për mua të besueshme sepse është fjala për një punëtor të komunës shumëvjeçar. Unë e njoh personalisht qytetarin dhe është një prej punëtorëve shembullorë që nuk ka pasur nevojë me i dhënë qortim, është i qetë dhe i edukuar. Më ka befasuar shumë dhe sot u vërtetu edhe në pamje që me të vërtetë ka ndodh ajo që ka ndodh”, shtoi Veliu.
“Për mua është tepër e pakuptueshme me ndodh diçka e tillë në QKMF në Podujevë, Bulliqi është i papërmbajtur, i paedukuar, është larg kulturës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbet i pa edukuar”, tha më tej Veliu.