×
  • Lajme
  • Lajme

    Agim Veliu nuk e tregon Raportin për shkarkimin e Rashit Qalajat

    Reporteri
    30 Tetor 2020 | 12:22

    Raporti, në bazë të të cilit ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i propozoi kryeministrit Avdullah Hoti, shkarkimin e Rashit Qalajt nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, po mbahet i fshehtë.


    Më 16 tetor të këtij viti, Rashit Qalaj u shkarkua nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pozitë në të cilën ishte emëruar para më shumë se dy vjetësh.

    Si arsye e shkarkimit, u përmend raporti i performancës. Por, çfarë thuhet në këtë raport dhe pse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Kryeministrit po e mban të fshehtë?

    Ditë më parë, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, tha se vendimin për shkarkimin e Qalajt nga kjo pozitë e ka marrë pas raportit që ka pranuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, për performancën e tij.

    “Në bazë të raportit të dorëzuar e kam liruar nga detyra drejtorin e policisë, raporti i performancës së ministrit thotë se Qalaj ka treguar performancë jo të kënaqshme në udhëheqje, në kontroll dhe mbikëqyrje të policisë, duke dështuar në përmbushje të detyrave, më tutje në raport theksohet se në planin zhvillimor 2016-2020 janë përcaktuar katër objektiva për të cilat ministri vlerëson se krimet e rënda nuk janë përmbushur”, ka thënë ai.

    Hoti ka pasur kritika edhe për aksionin e Karaçevës, derisa ka thënë se Qalaj e ka ndryshuar organogramin e policisë, në kundërshtim me ligjin.

    “Është vënë re menaxhim jo i mirë i aksionit në Karaçevë, pavarësisht se janë shkatërruar bizneset ilegale. Z. Qalaj në kundërshtim me ligjin e ka ndryshu organogramin e policisë, pa e kaluar nëpër procedura ligjore”, ka deklaruar Hoti.

    Gazeta Express e ka kërkuar këtë raport nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Brendshme, por asnjëra prej këtyre institucioneve nuk ka kthyer përgjigje për këtë kërkesë.

    As vetë Qalaj nuk ka pranuar ta komentojë raportin në fjalë, shkaku i të cilit edhe u largua nga pozita e të parit të Policisë së Kosovës.

    E përveç që nuk e kanë bërë publik këtë raport, Agim Veliu ka refuzuar edhe të raportojë për shkarkimin e tij para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Mungesa e tij është kritikuar nga anëtarët e Komisionit, duke u cilësuar si papërgjegjësi.

    Kryetarja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë se Veliut i janë ofruar dy data për raportim, ndërsa arsyetimi i tij ka qenë se ka agjendë.

    Në anën tjetër, në mbrojtje për mosprezencë të Veliut në Komision, kishte dalë bashkëpartiaku i tij, Hatim Baxhaku. Ai ka thënë se ministrit Veliu duhet t’i jepen dy ose tri data siç ka kërkuar dhe nëse nuk përgjigjet, duhet të ftohet në Kuvend për interpelancë.

    Ndryshe, drejtimin e Policisë në vend të Qalajt e ka marrë Samedin Mehmeti, i cili deri tash mbante pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për operativë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!