Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, është mbajtur një diskutim për sfidat dhe punën e mediave në vend, organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur për Media.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha tha se integriteti fizik i gazetarëve është cënuar si asnjëherë më parë, duke përmendur këtu sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit vitin e kaluar, përfshirë këtu sulme fizike dhe dëmtim të pajisjeve të punës.
Rexha tha se se sulme fiziket ka pasur edhe në Prishtinë në fillim të këtij viti. Ai përmendi edhe fushatat në rrjetet sociale të kryesisht përkrahëseve të Qeverisë.
Liria e gazetarëve ka qenë një shqetësim vitin e kaluar e ka vazhduar edhe këtë vit. Ne kemi pasur vitin e kaluar 30 sulme brenda pesë javëve në veriun e Kosovës, duke përfshirë sulme fizike, dëmtim të pronave, të mjeteve të punës së gazetarëve, gjë që ka cënuar integritetin fizik të gazetarëve si asnjëherë më parë.
Ne kemi parë edhe në fillim të këtij viti, sulme fizike edhe në Prishtinë ndaj gazetarëve, gazetaret gra që janë shumica e anëtarëve në AGK vazhdojnë të jenë cak i sulmeve fizike, por edhe i sulmeve online në fushatat në rrjetet sociale të kryesisht përkrahësve të Qeverisë aktuale. Megjithatë vitin e kaluar sistemin e drejtësisë, së paku në një rast sulmet ndaj gazetarit Valon Syla të jetë efikas për shkak të presionit publik për të mbajtur përgjegjës ata që e kanë sulmuar”, tha Rexha.
Duke përmendur rënien për 19 vende në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, për këtë vit, Rexha tha se është në dorë të Qeverisë që ta përmirësojë këtë renditje. Ai tha se ndër të tjera kjo mund të ndodhë duke mos e çuar në miratim përfundimtar ligjin e ri për KPM-në.
“Kjo fushatë, kjo ndjenjë e klimës së rënduar të të bërit gazetari shpresojë që të mos i dekurajojë gjeneratat e reja. Është absolutisht në dorë të Qeverisë që ta përmirësojë këtë renditje, mes tjerash duke mos e çuar në miratim përfundimtar ligjin e ri të KPM-së, por duke u angazhuar në një bashkëbisedim serioz dhe gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara. Nuk është koha e duhur që mediat online të monitorohen të kontrollohen nga një institucion që është zgjedhur në Kuvendin e Kosovës siç është KPM sepse nuk ka asnjë garanci dhe për shkak të këtyre raporteve kjo Qeveri nuk do të jetë në gjendje të sigurojë pavarësinë e KPM-së”, tha Rexha.
Reporterët pa Kufij sot kanë publikuar indeksin vjetor të lirisë së medias.
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.