×
  • Lajme
  • Lajme

    Aksion i policisë kundër organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në Prishtinë, kontrollohen 40 lokale

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 16:30

    Policia e rajonit të Prishtinës ka zhvilluar një aksion për luftimin e veprimtarive kriminale, përfshirë organizimin e skemave piramidale dhe bixhozin e paligjshëm.

    Sipas njoftimit zyrtar, që nga fundi i muajit prill 2025, janë kontrolluar mbi 40 lokale në të cilat dyshohej se zhvilloheshin aktivitete të paligjshme. Si rezultat, janë mbyllur 22 prej tyre, ndërsa janë verifikuar qindra persona dhe janë arrestuar 19 të dyshuar, ndaj të cilëve janë iniciuar rastet përkatëse.

    Aksioni më i fundit u zhvillua mbrëmjen e kaluar në Podujevë, ku u bastisën dy lokale të ndara. Në njërin prej tyre u sekuestruan pesë aparate të lojërave të fatit dhe para të gatshme, si dhe u arrestua një person. Në lokacionin tjetër, policia gjeti sasi narkotikësh dhe një armë të ftohtë – një thikë.

    Policia e Kosovës ka theksuar se aksionet do të vazhdojnë në gjithë rajonin, me qëllim të parandalimit dhe ndalimit të veprimtarive që rrezikojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!