Policia është duke kryer një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Betimi për Drejtësi” raporton se deri tani, nga ky aksion janë arrestuar tre zyrtarë të kësaj ministrie.
Aksionin e ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, ka deklaruar Kelani.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka deklaruar për Reporteri.net se aksioni nuk lidhet me ta.
Reporteri.net ka pyetur edhe Prokurorinë Speciale, nëse aksioni është me autorizim të tyre, por deri tash s’ka marrë përgjigje. As nga Ministria s’ka ende ndonjë reagim.