×
  • Lajme
  • Lajme / Flet Kryeprokurori

    Aksioni në MMPHI, përfundon intervistimi i katër zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorim detyre

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 15:16

    Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë konfirmuar se ka përfunduar intervistimi i zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, lidhur me aksionin e sotëm nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Zejnullah Gashi, ka deklaruar për Reporteri.net se intervistimi i zyrtarëve është bërë në cilësinë e të dyshuarve.

    “Me autorizim të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës janë intervistu në cilësinë e të dyshuarve. Ka përfundu intervistimi”, ka deklaruar Zejnullahu.

    Lidhur me raportimet e mediave se zyrtarët në fjalë janë arrestuar, Zejnullahu sqaroi se autorizimi ka qenë vetëm për intervistim.

    “Sa i përket personave në fjalë, të cilët janë të dyshuar për neve…Ata persona asnjëherë nuk janë arrestu. Janë intervistu si çdo rast tjetër, për shkak se asnjëherë s’janë ndalu ata. Autorizimi ka qenë vetëm për me u intervistu. Asnjëherë s’ka qenë qëllimi i autorizimit për me arrestu dikënd, për sot është fjala. Është një procedurë e rregullt hetimore si për çdo rast tjetër që ndodhë”, ka thënë ai.

    Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar aksionin për Reporteri.net, teksa tha se lidhet me keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    “Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, ka deklaruar Kelani./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!