×
  • Lajme
  • Lajme / Hagë

    Aktakuza e re ndaj Thaçit: PDK kërkon të mblidhet Kuvendi, AAK thotë se do ta zhbëjë Specialen – pushteti e LDK heshtin

    Reporteri
    07 Dhjetor 2024 | 14:19

    Njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar se ka ngritur një aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, ka nxitur reagime të mëdha në vend. Megjithatë reagime kanë ardhur vetëm nga dy parti opozitare, PDK-ja, isha partia e Thaçit, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Presidenca, Kuvendit dhe Qeveria deri me tani nuk e kanë thënë asnjë fjalë në lidhje me aksionet e fundit të kësaj gjykate.

    Asnjë deklarim nuk është bërë as nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, shkruan Reporteri.net.

    Reagime të ashpra nga PDK

    Pas aktakuzës së re ndaj Thaçit, menjëherë kanë reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sekretarja Vlora Çitaku, dhe deputetët Enver Hoxhaj, Ganimete Musliu e Mërgim Lushtaku, shkruan Reporteri.net.

    Akuza për pengim të drejtësisë ndaj ish-presidentit të Kosovës po shihet si përndjekje politike e radhës nga zyrtarët e PDK-së.

    Pas aktakuzës së re ndaj Thaçit, menjëherë kanë reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sekretarja Vlora Çitaku, dhe deputetët Enver Hoxhaj, Ganimete Musliu e Mërgim Lushtaku, të cilët kanë kërkuar drejtësi, e jo përndjekje.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë Kuvendi i Kosovës duhet që të mblidhet urgjentisht dhe të debatojë për punën e kësaj gjykate.

    “Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatoj për Gjykatën Speciale në Hagë dhe ti thot STOP përndjekjeve politike!”, ka shkruar Musliu në Facebook.

    Reagime nga AAK-ja

    Nga AAK-ja deri tani kanë reaguar deputeti Pal Lekaj si dhe Daut Haradinaj.

    Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, është shprehur i shqetësuar me akuzën e re të Speciales ndaj Thaçit.

    Lekaj ka shkruar në Facebook se Specialja po vazhdon të ngjallë dyshime rreth standardeve të dyfishta që përdor dhe ndikimit politik që mund të ketë mbi proceset ligjore.

    “Ngritja e aktakuzës së re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë është një zhvillim që ngre pyetje serioze rreth qëllimeve dhe metodologjisë së Gjykatës Speciale. Ky institucion, që fillimisht u prezantua si garantues i drejtësisë për pretendimet ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po vazhdon të ngjallë dyshime rreth standardeve të dyfishta që përdor dhe ndikimit politik që mund të ketë mbi proceset ligjore. Në vend që të kontribuojë në qartësimin e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë, Gjykata duket sikur po fokusohet në ndjekjen e liderëve të luftës, duke injoruar kontekstin historik dhe sfidat ekzistenciale të Kosovës gjatë luftës për çlirim. Akuzat për “pengim të drejtësisë” ngjajnë më shumë si përpjekje për të ndëshkuar individë të caktuar sesa për të adresuar çështje reale ligjore”, ka shkruar Lekaj.

    Ai ka paralajmëruar se ky zhvillim mund të thellojë ndarjet politike dhe shoqërore në Kosovë.

    “Për më tepër, ky zhvillim mund të thellojë ndarjet politike dhe shoqërore në Kosovë, në një kohë kur vendi ka nevojë për unitet dhe përqendrim te reformat demokratike dhe integrimi euroatlantik. Drejtësia nuk mund të përdoret si instrument për të delegjitimuar luftën e drejtë të një populli për liri dhe pavarësi. Ne kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare që të garantojnë një proces të drejtë dhe transparent, të mbështetur në prova të pakundërshtueshme dhe larg ndikimeve politike. Lufta jonë për liri nuk mund të zbehet nga sulmet që kanë për qëllim të deformojnë historinë tonë dhe të dëmtojnë udhëheqësit tanë që kanë mbrojtur dinjitetin kombëtar”, ka shkruar Lekaj.

    Kurse, ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar zhbërjen e kësaj gjykate.

    “Gjykata Speciale u kriju ne Parlament të Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës është organi më i lartë që duhet t’a zhbëjë. Ta bashkojmë besimin tuaj në zgjedhjet e ardhshme, NE do t’a zhbëjmë.U bo boll!”, ka shkruar Haradinaj.

    Ja çka thuhet në aktakuzën e re ndaj Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Bashkim Smakajt dhe të tjerëve

    Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Sipas aktakuzës, Thaçi ka udhëzuar Kilajn, Smakajn, Fazliun dhe Kuçin të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë si dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në akuzë thuhet mes tjerash se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë.

    Në aktakuzën e publikuar nga Specialja jepen detaje për “funksionimin e tri grupeve të Thaçit”.

    Sipas saj, Thaçi në vizita u kishte dhënë informata të akuzuarve të tjerë në këtë rast se si t’i përcillnin mesazhe dëshmitarëve për të dhënë dëshmi. Aty thuhet se të akuzuarit kanë konfirmuar apo janë pajtuar me instruksionet e Thaçit për pengim të drejtësisë.

    “Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.”, thuhet në Aktakuzë.

    Specialja në aktakuzë i ka ndarë grupet në: Grupin “Smakaj”, “Fazliu” dhe “Kilaj”.

    Sipas aktakuzës këto grupe ishin krijuar me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet tutje në njoftim. /Reporteri.net/.

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!