Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet J.P. dhe një kompanie, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti lidhet me një aktivitet të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me material shpenzues medicinal nga Lista Esenciale (LE), ku dyshohet se është paraqitur dokumentacion i rremë për të dëshmuar përmbushjen e kritereve të tenderit.
Sipas aktakuzës, më 19 janar 2024, i pandehuri J.P., në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë “M… P…” SH.P.K., duke vepruar në emër dhe në interes të kësaj shoqërie, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë gjatë dorëzimit të ofertës në këtë aktivitet të prokurimit.
Në kuadër të tenderit, grupi i operatorëve ekonomikë kishte paraqitur oferta për Lotin 1, në vlerë prej 344 mijë e 955.77 eurosh, dhe për Lotin 3, në vlerë prej 169 mijë e 12.36 eurosh.
Certifikata dyshohet se ishte e skaduar dhe e ndryshuar
Prokuroria bën të ditur se në dokumentacionin e ofertës ishte përfshirë certifikata ISO 13485:2016, me numër 47014, e lëshuar nga autoriteti certifikues “NQA” për prodhuesin “Forlong Medical Co., Ltd”, nga Kina.
Kjo certifikatë ishte paraqitur si dëshmi për përmbushjen e kërkesës numër 2 të dosjes së tenderit, e cila kishte të bënte me kapacitetet teknike dhe profesionale.
Megjithatë, sipas aktakuzës, certifikata në fjalë kishte skaduar dhe ishte anuluar në tetor të vitit 2022. Po ashtu, dyshohet se në dokumentin e paraqitur ishte ndryshuar afati i vlefshmërisë, nga data 18 tetor 2022 në 18 tetor 2024.
Sipas Prokurorisë, përmes paraqitjes së këtij dokumenti, i pandehuri J.P. dyshohet se ka shkelur me dashje rregullat e prokurimit publik që lidhen me dokumentacionin për dëshmimin e përmbushjes së kritereve të tenderit.
Qëllimi i dyshuar, sipas aktakuzës, ishte vënia në lajthitje e autoritetit kontraktues lidhur me përmbushjen e kërkesave të tenderit, si dhe ndikimi në vlerësimin e ofertës dhe në vendimmarrjen për dhënien e kontratës, në interes të kompanisë.
Prokuroria kërkon dënim dhe ndalim të pjesëmarrjes në tenderë
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale që u vihet në barrë.
Po ashtu, prokurori ka kërkuar që atyre t’u shqiptohet ndalimi i pjesëmarrjes në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik.