Zyrtaret e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi dhe Teutë Rrusta, ia kanë ndërprerë fjalën kryeministrit Avdullah Hoti, derisa ai po diskutonte për dialogun Kosovë – Serbi.
Këto aktiviste dolën në skenë dhe e pyetën Hotin pse dialogu me Serbinë është më i rëndësishëm se jeta e grave kosovare, të cilat po vriten nga burrat.
“Përderisa dhuna në familje është duke u rritur, ju nuk e keni thënë asnjë fjalë”, ka thënë Rrusta.
“Grave po iu mohohet e drejta e jetës, e pronës dhe krejt këto janë formalisht dhe as ju nuk ish dashtë me e pasë të drejtën me u sill kështu karshi shoqërisë. Për këtë arsye kemi vendosur me ua ndalë fjalën”, ka shtuar tutje ajo.
Më pas debatin me Hotin e ka vazhduar Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së.
Ajo e ka pyetur kryeministrin pse organizon tryeza për dialogun me Serbinë dhe nuk ndërmerr asnjë veprim dhe as nuk ka reaguar në rastet e fundit, ku një burrë në Mitrovicë ka therur gruan e tij me thikë disa herë, në prani të fëmijëve, ndërsa Pjetër Ndrecajt, që ka vrarë gruan e tij dhe vajzën 9 vjeçe, i është zvogëluar dënimi.
“Pse dialogu ma i rëndësishëm se jeta e grave”, ka pyetur Kuçi.
“Nuk e gjeni një person që i mbron të drejtat e grave më shumë se unë… a po doni çdo ditë të jap deklarata, apo i shikoni veprimet”, ka thënë Hoti më pas.