Kur gjërat dhe diskutimi filloi të shkojnë si mos më keq, në tubimin e Listës Guxo në Dubovik të Pejës, nikoqirja e takimit, Donika Gërvalla-Schwarz mbajti një fjalim të gjatë, jo shumë të këndshëm për të pranishmit. Kryediplomatja Gërvalla u tregua mosmirënjohëse për përkrahësit e saj, e u kërkoi nënshtrim koordinatorëve të zhgënjyer të qendrave të Listës Guxo. Gazeta Online Reporteri.net ua sjell pjesën e tretë të detajeve dhe videove ekskluzive nga takimi i shpërbërjes së subjektit politik të krijuar nga Presidentja Vjosa Osmani, që u braktisë nga ajo dhe bashkëpunëtorët e afërt të saj, me të marrë pozitën e shefes së shtetit.
Donika Gërvallës nuk i pëlqyen akuzat e koordinatorëve të Listës Guxo, se ata u braktisën nga ajo e Vjosa Osmani, me të marrë pozitat qeveritare e shtetërore, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.
Nikoqirja e takimit që u mbajt para disa muajve në kullat e familjes së saj në Dubovik të Pejës, gjatë gjithë fjalimit të saj, në videot e siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net, dëgjohet të flas me zë të ngjirur dhe tensionuar.
Për një moment ajo shpërthen edhe në lot.
“Ju shkoni në mbrëmje të gjithë tek familjet e juaja, prandaj mos më tregoni për sakrifica”, thotë Gervalla-Schwarz, teksa dridhjet e zërit dhe lotët në sy “e tradhtojnë”.
“Kaq”, shton ajo me ton detyrues për të pranishmit.
Ata po kundërshtonin edhe shkrirjen e mundshme në Lëvizjen Vetëvendosje, derisa Kryediplomatja Gërvalla ua bën atyre me dije se nuk është e gatshme ta marrë drejtimin e Listës Guxo.
Në këtë takimin në Dubovik, koordinatori i qendrës së Listës Guxo në Vushtri, Nasuf Bejta, e pohon haptas se e konsideron “të djegur” veten. Ai në seancën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit për presidente doli kundërkandidat i saj, për t’i siguruar asaj përmbushjen e proceduarave Kushtetuese për votimin si shefe e shtetit.
“Njëkohësisht, ndoshta, fundi ka me tregu se ndoshta jam ma i djeguri prej krejt kësaj liste”, shihet dhe dëgjohet teksa thotë ish-kandidati për deputet i Listës Guxo, në videon e fjalimit të tij në Dubovik, të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net.
“Nuk e kam lut askënd nga ju, absolut asnjë prej jush, nuk e kam thirr as në 1 të natës, as në 5 të mëngjesit në telefon”, u kundërpërgjigjet Donika Gervalla bashkëpartiakëve dhe mbështetësve të saj e Listës Guxo, që po e akuzonin atë për “braktisje”.
“Ju s’keni nevojë me kërku vota për mu. Ju është dashtë me kërku vota për ata kandidatë të cilët përfaqësojnë idetë e juaja”, shton nder tjera udhëheqësja aktuale e Listës Guxo, në videon e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, të fjalimit të saj në Dubovik.
“Edhe 300 mijë votat e zonjës Presidente, unë nuk besoj që ajo ju ka lutë “amani boni për Vjosën””, thotë ajo.
“Asnjëherë, asnjërin nga ju nuk e kam lutur aman a po më bëni drejtuese të Listës. Në asnjë moment të caktum. Asnjërin prej jush nuk e kam lut, të lutem, thuaj dikujt, ose lufto për mu që unë të bëhem Ministre e Punëve të Jashtme”, thotë Gërvalla-Schwarz. [VAZHDON…]
LEXO EDHE:
(Pjesa e dytë – FOTO/VIDEO EKSKLUZIVE): Takimi “i fshehtë” i Listës Guxo në Dubovik: Donika Gërvalla aspak mirënjohëse për përkrahësit e saj, u kërkon atyre nënshtrim
(Pjesa e parë – FOTO/VIDEO EKSKLUZIVE): Takimi në Dubovik ku u konfirmua shpërbërja e Listës Guxo, e u turpërua Donika Gërvalla: Nuk na keni hapë ma telefonin, m’keni djegë, po bajnë hajgare me mu